Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dëshiron që të ketë konflikt në Kosovë.
Kurti thotë se Putinin e pengon shumë suksesi i Kosovës, kështu që ai po bën përpjekje ta destabilizojë atë.
“Putini dëshiron të nxisë konflikt në Kosovë. Unë jam i kujdesshëm, por kurrë nuk kam frikë. Jam vigjilent. Putini është i fiksuar pas vendit tonë. Ai është i lumtur me mungesën e suksesit të intervenimeve perëndimore në Irak dhe Afganistan. Atë e zemëron që në Kosovë pati sukses intervenimi”, ka thënë Kurti në intervistë për gazetën zvicerane “Blick”.
Kurti gjendet në Davos të Zvicrës për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pyetur edhe për kërkesën që ka bërë për të rritur numrin e forcave të KFOR-it në Kosovë.
Kurti thotë se ka treguar interesimin e tij për këtë, por varet nga NATO.
“Unë kam sinjalizuar interesin tim për të rritur trupat e NATO-s, por sigurisht që i takon NATO-s të vendosë. Unë mendoj se fakti që ne kemi një fqinj më të madh që nuk na njeh dhe po bashkëpunon gjithnjë e më tepër me Kremlinin duhet ta inkurajojë NATO-n që ta rrisë prezencën e saj. Kjo zvogëlon gjasat e konfliktit”, tha Kurti.
Sa i përket kërkesës së partisë më të madhe në Zvicër, SVP, për të tërhequr trupat zvicerane nga Kosova, Kurti ka thënë se shpreson që Zvicra të mos e bëjë këtë.
“Zvicra luan rol të rëndësishëm, qoftë për sigurinë e mbrojtjen e Kosovës ashtu edhe në lidhje me një marrëveshje paqeje. Zvicrës i jemi shumë mirënjohës për kontributin që po jep Swisscoy në Kosovë. Nuk do të dëshironim që ushtarët e saj të tërhiqen nga Kosova. Nuk është koha e duhur për këtë. Serbia ka ndërtuar 48 baza ushtarake në afërsi të kufirit tonë, që përbëjnë rrezik për vendin tonë, pranë tyre janë parë mercenarë të grupit Wagner dhe grupit famëkeq Ujqërit e Natës. Ne kemi nevojë për mbështetje të Zvicrës dhe pres që Zvicra ta zgjasë mandatin e saj deri në vitin 2026”.
Kurti ka folur edhe për mundësinë e arritjes së një marrëveshje Kosovë – Serbi. Ai është optimist se kjo mund të arrihet brenda pak muajve, “nëse ka vullnet për marrëveshje nga dyja palët”.
“Jam optimist se marrëveshja mund të arrihet brenda pak muajve nëse ekziston vullneti për një marrëveshje – dhe mbështetja e Perëndimit demokratik, pra BE-së, NATO-s, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Unë e kam shprehur vullnetin tim për ta bërë këtë. Por, për një marrëveshje duhet pëlqimi i dyja palëve. Për të pasur paqe afatgjate, siguri dhe stabilitet rajonal, Serbia duhet të bëjë distancim të dyfishtë: nga e kaluara, Millosheviqi dhe tash nga Putini. Sepse, Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë. Putini dëshiron të nxisë konflikt në Kosovë”, tha Kurti.
Ai ka folur edhe për tensionet në veri të Kosovës gjatë fundvitit të kaluar, e po ashtu tërheqjen e serbëve në veri nga institucionet e Kosovës.
“Situata është për momentin e qetë, policia jonë është prezente. Dhe së fundi u kam bërë një thirrje publike gjithë serbëve në Kosovë që të aplikojnë për punë në shërbimet publike, si shembull në polici. Kjo, pasi që zyrtarët serbë dhanë dorëheqje mes tensioneve në veri. Nuk është qëllimi im të zëvendësojë serbët me shqiptarë! Dua serbët në ato pozita”, ka thënë Kurti.