Kurti: Rritja e çmimit të bukës, shqetësuese

Kreu i Qeverisë, Albin Kurti, ka deklaruar se janë duke e parë me shqetësim rritjen e çmimit të bukës dhe se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, do të dalë me një përgjigje lidhur me këtë çështje.

Pas takimit të zhvilluar të martën në Postën e Kosovës, Kurti ka njoftuar se janë duke diskutuar për vendosjen e masave me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit.

“I kemi marrë me shumë shqetësim këto informacione për çmime të rritura të bukës, që është ushqimi më elementar për qytetarët e Kosovës dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke e përgatitur një përgjigje të qeverisë sonë. Pra, kemi vënë tavanin për çmimin e naftës, duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë që të mos shfrytëzohen e të mos dëmtohen konsumatorët e vendit tonë. Ne duhet të shohim vlerësimin e MINT dhe të marrim masa adekuate si qeveri ta mbrojmë konsumatorin qytetar nga ata të cilët mund ta keqpërdorin situatën dhe të abuzojnë në këtë kohë krize”, ka deklaruar Kurti.