Kurti tallet me Bekim Haxhiun: Ty zotëri të marrë seriozisht kur ta sjellësh Projektligjin për Masazh, fizoterapeut je

Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet për Trustin Pensional dhe propozimin e deputetit Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës, që të lejohet nga qytetarët tërheqja e 30 për qind të shumës së përgjithshme individuale. Por, Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, është tallur me Haxhiun duke e pyetur fillimisht kush ia dha këtë propozim, meqë ai vetë ekonomist nuk është.

“Çështja e financave shtetërore dhe e të ardhmes në ekonomi e ka një dimension të fuqishëm profesional, duhet të konsultosh ekspertë për të thënë diçka, sepse edhe vetëm duke folur bën dëm. Dua ta di kë e keni konsultuar për këtë punë? Ti i fushës nuk je?”, ka pohuar Kurti.

“Ty të marrë seriozisht kur ta sjellësh në Kuvend Projektligjin për Masazhe, jo për Trust. Fizoterapeuti flet për ekonomi”, shtoi Kurti dhe u përcoll me të qeshura nga deputetët.

Ndërsa për pjesën tjetër të opozitës ka thënë se ata po i duken sikur liderja e të djathtës ekstrem në Francë, populistja Marine Le Pen.

“Kjo çka po bëni ju është populisëm. A e dini kush flet për çmime e jo për zhvillim ekonomik, makroekonomi, gjeo-ekonomi e rrethana gjeo-politike? Le Pen-i flet kështu. Le Pen-i në Francë në fushatë flet kështu. Por, mua kjo më ngjanë, meqë dikur e vidhnim shtetin, të dashur qytetarë vidheni edhe ju vetveten”.

Sipas kryeministrit, halli nuk është se a do të kalojë propozimi, “hallin e kam që po diskutohet. Kjo s’do të duhej të diskutohej fare”.

“Shumica që ka pak, fiton aspak. Pakica që ka shumë, fiton edhe ma shumë, po ajo tashmë ka shumë”, e përfundoi Kurti fjalimin në foltoren e Kuvendit.