Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, një dit pas shkarkimit të ministrit Agim Veliu nga pozita e të parit të kësaj ministrie.
Gjithashtu sipas komunikatës njoftohet se i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, Kurti ka vizituar edhe Qendrën Operative të Policisë së Kosovës, ku janë pritur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj.
Bëhet e ditur se Kurti u njoftua nga eprorët e lartë të Policisë së Kosovës, për angazhimet që janë duke i bërë sa i përket gjendjes së përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe për funksionet që ka qendra operative e Policisë, në monitorimin dhe e mbulimin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës.
“Më ketë rast Kryeministri Kurti, falënderoi të gjithë zyrtarët policor, që në këtë situatë pandemike të koronavirusit (COVID-19), që ka përfshirë vendin tonë, janë duke treguar guxim dhe dije në menaxhimin e situatës dhe njëkohësisht duke u kujdesur edhe për sigurinë e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Njoftohet se kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës është dashur të marrë vendime për t’iu përgjigjur situatës dhe se janë duke bërë përpjekje maksimale që të menaxhojnë sa më mirë këtë situatë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të vendit.
Më pas, njoftohet se ai ka vizituar edhe Qendrën Kombëtare për Menaxhim të Kufirit dhe Qendrën Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, që është hapur sot pas aktivizimit të Planit të Reagimit Kombëtar.
Mbrëmë Kurti ka shkarkuar nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliun, i cili vinte nga partneri i koalicionit qeverisës LDK, për siç ka thënë ai, se ka nxitur panik te qytetarët duke deklaruar se duhet shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
Si pasojë e këtij shkarkimi, Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti.
Ai sot është takuar edhe me liderë të partive opozitare, AAK dhe NISMA, nga të cilët ka marrë mbështetje për këtë mocion.