Nga Konstantin Remchukov, “National Interest”
* Presidenti rus, Vladimir Putin, po përballet me një dilemë të madhe, që nuk është plotësisht vetëm e tija. Ai nuk mundet të gjejë dot një zëvendësues të vetes, një klon politik, siç do ta donte vetë. Për më tepër, një pasardhës i besueshëm duhet të jetë modest, i përmbajtur në deklarata, besnik i nomenklaturës, liberal në jetën e përditshme, patriot para publikut, fleksibël në negociatat ndërkombëtare, dhe në gjendje të ruajë balancën midis qëndrimeve ekstremeve të kolegëve të tij, dhe më e rëndësishmja të jetë i durueshëm, i fiksuar pas punës, takimeve, udhëtimeve, negociatave.
Por problemet e Putinit nuk mbarojnë këtu. Ai druhet se nëse largohet nga pushteti, s’do të jetë në gjendje të mbrojë dot fëmijët dhe miqtë e tij. Njëkohësisht, ai ka një ndjenjë epërsie ndaj elitës politike, e cila funksionon drejtpërsëdrejti për të.
Ai nuk i zë besë asnjë premtimi, por beson në predispozitën e tradhtisë nga rrethi i tij i brendshëm, që mund të ndodhë nën një kombinim zhvillimesh të papritura dhe presionit të opozitës. Për Putinin, delegimi tek elita e tij personale i menaxhimit dhe pronësisë së një pasurie kaq komplekse dhe sfiduese, do të ishte një marrëzi, pasi ata janë më të dobët se ai.
Shihni një moment se cilat janë alternativat:Dimitri Medvedev, kryeministër i Rusisë që nga viti 2012. Ai nuk ka interes të punojë 24 orë në ditë për 7 ditët e javës. Ai nuk është në gjendje të zgjedhë, dhe ka tendencën të përfshihet në nisma të dyshimta (java 4-ditore e punës), dhe ruan një lloj distance nga ekipi i tij qeverisës.
Valentina Matvienko, senatore e Shën Petersburgut dhe Kryetare e Këshillit të Federatës, nuk ka shfaqur ide origjinale, dhe ka një cinizëm total rreth politikës. Vjaçesllav Volodin, kryetari i parlamentit rus, Duma. Ai ka një përkushtim të pakufizuar personal vetëm ndaj një personi, Vladimir Putinit.
Sergej Shoigu, Ministri rus i Mbrojtjes. Ai është një tip pa emocione, nuk ka ambicie të vërteta në karrierë. Përkundrazi, ëndërron një pension të qetë, të cilin mund t’ia sigurojë vetëm Putini. Ai mund të dëshirojë të marrë nën rrethana të caktuara, pozicionin e zv/kryeministrit të parë, që mbikëqyr zhvillimin e Siberisë dhe Lindjes së Largët.
Sergej Lavrov, Ministër i Jashtëm i Federatës Ruse. Situata e tij është e njëjtë me atë të Shoigu, me përjashtimin e pozitës së zv/kryeministrit për Siberinë dhe Lindjes së Largët. Një alternativë në rastin e tij, mund të jetë udhëheqja e Këshillit të Federatës, me të njëjtat përfitime pensionale.
Sergej Sobyanin, kryetar i Bashkisë së Moskës. Atij i mungon interesi mbi politikën publike. E urrën angazhimin në aktivitete masive, dhe nuk është i prirur të jetë simpatik në sytë e publikut. Ai është tërësisht indiferent ndaj çdo pozicioni dhe karriere të nivelit të lartë.
Edhe grupi i përfaqësuesve të shërbimeve të sigurisë (Nikolai Patrushev, Sekretari i Këshillit të Sigurisë, Aleksandër Bortnikov, Drejtor i FSB-së, dhe Viktor Zolotov, Drejtor i Gardës Kombëtare) nuk shprehin ndonjë interes publik, nuk janë të pavarur nga natyra e tyre.
E njëjta gjë mund të thuhet dhe për zyrtarët kryesorë, që shërbejnë në administratën presidenciale (Anton Vaino, shefi i kabinetit, Aleksei Gromov, zëvendësdrejtori i parë i personelit, Dimitri Peshkov, sekretari i shtypit dhe Andrei Belusov, këshilltar shtetëror i Federatës Ruse).
Atëherë, çfarë e pret Rusinë? Për mendimin tim, gjendja reale në nivelin e sipërm të elitës, do të përcaktohet me ardhjen e personave të rinj, nga nivele të tjera të ulëta të pushtetit, që do të udhëheqin vendin pas Putinit. Dhe kjo, duke pasur parasysh faktin që rrethi i besimit brenda shoqërisë ruse, është shumë i vogël. Kjo nënkupton, për mirë a keq, një ndryshim automatik dhe rrënjësor të elites, që merr vendimet kryesore në qeveri.
Tani për tani, janë këto tiparet e sakta të “udhëheqësve” të sotëm, që formojnë një mandat kolektiv nga ana e tyre për statuskuonë, ruajtjen e praktikave ekzistuese, dhe qëndrimin e Putinit në pushtet për një kohë të pakufizuar. Kjo strategji garanton, ndonëse jo me siguri, por me një shkallë të lartë probabiliteti, ruajtjen e autonomisë, dhe mbrojtjen e pronës jo vetëm për ta, por edhe për të afërmit dhe miqtë e tyre.
Nga ana tjetër Putini, është i interesuar për besnikërinë e punonjësve të tij, për sa kohë që një besnikëri e tillë është operative, pra për sa kohë që ata e lejojnë të zgjidhë në mënyrë efektive çështjet e pushtetit, pa e dëmtuar këtë të fundit.
Një evolucion në Rusi, mund të kërkojë ndryshime në personel, të cilat Putini do t’i ndërmarrë, megjithë neverinë e tij të hapur ndaj riorganizimit të radhëve të miqve të tij, diçka që mund të shkaktohet nga një rënie e dukshme e treguesve statistikorë dhe sociologjikë të gjendjes aktuale të ekonomisë dhe shoqërisë ruse./ Përshtatur nga CNA.al