Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji janë dy anëtaret e reja të Gjykatës Kushteutese të zgjedhura nga Parlamenti. Me votim të fshehtë, Toska mori 105 vota pro, nga 84 që i duheshin, po aq sa edhe Papajorgji.
Në listën e dërguar nga KED është edhe emri i Arta Vorpsit, por pas mbledhjes së këshillit të legjislacionit u vendos që ajo të konsiderohet si e emëruar në Gjykatën Kushtetuese nga lista e Presidentit Meta, edhe pse ky i fundit nuk e zgjodhi atë, duke pezulluar procesin.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, tha se sipas KED, duke mos u shprehur Presidenti, Vorpsi është automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese. “Këshilli doli në përfundimin që procedura është plotësisht kushtetuese”, tha ai para votimit.
Por pas votimit të sotëm mbetet i pa caktuar fati i zonjës Arta Vorpsi, pasi Presidenca nuk e konsideron të zgjedhur prej saj, ndërsa për Kuvendin konsiderohet si zgjedhje tashmë e konfirmuar. Më herët gjatë ditës, këshilltari i Presidentit për çështjet ligjore, Bledar Dervishi, tha se Kuvendi duhet të zgjidhte sot një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, më pas Presidenti do të zgjidhte anëtarin e dytë, dhe Kuvendi mund të bënte të njëjtën gjë në seancën e radhës, duke i shtuar kështu, sipas tij, katër anëtarë Gjykatës Kushtetuese.