Zyrtari i Telekomit Gzim Makolli, dyshohet të jetë sulmuesi i gazetarit të Radio televizionit të Kosovës, Altin Ahmetit, shkruan Gazeta Insajderi.
Ahmeti është sulmuar mbrëmjen e së dielës në një lokal në Prishtinë, ndërsa ka deklaruar se është sulmuar nga pesë persona dhe se personi në fjalë është Gzim Makolli.
“5 vetë më sulmuan dhe dolën duke më kërcënuar se do të më vrasin. Personi në fjalë është Gëzim Makolli. E ftova policinë dhe prokurorinë, nuk i di arsyet e sulmit”, ka thënë Ahmeti.
Gëzim Makolli, para disa kohëve kishe plagosur edhe një anëtar të familjes, gruan e tij.
Këtë e kishte bërë 9 muaj më parë dhe kishte tentuar ta fshehë rastin nga autoritetet e sigurisë.
Gjysmë ore pasi kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, Makolli e ka dërguar A.A. për trajtim mjekësor në Spitalin Amerikan në Prishtinë, shkruan Gazeta Insajderi.
Gjatë gjithë kësaj kohe, ai kishte refuzuar ta lajmëronte rastin në Policinë e Kosovës derisa përmes informacioneve të pranuara nga rrugë të tjera, Policia e kishte arrestuar zyrtarin e Telekomit të Kosovës. Ndërkaq, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Gjykata i kishte shqiptuar Gzim Makollit 30 ditë masë paraburgimi.
“Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim për G.M. me dyshimin se ka tentuar ta vriste gruan me të cilën bashkëjetonte A.A.. Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit G.M. i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhej në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata e kishte mbështetur vendimin e saj në dyshimet se Makolli mund ta kishte kompromentuar rastin nëse do të sillej i lirë.
“Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ngase nëse i pandehuri gjendet në liri do të mund të pengonte rrjedhën e procedurës penale duke fshehur, ndryshuar ose falsifikuar provat”, kishin thënë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në një njoftim për media.
Gzim Makolli, i njohur si “Giza”, është punësuar si sigurim fizik në Telekomin e Kosovës, në kohën kur kjo ndërmarrje udhëhiqej nga Agron Mustafa.
Makolli ka miqësi të ngushtë me Agron Mustafën si dhe me një person tjetër të rëndësishëm të Prishtinës, Rrahim Pacollin.
Makolli ishte edhe anëtar i Aleancës Kosova e Re, parti në të cilën Rrahim Pacolli ka mbajtur postin e sekretarit për kohë të gjatë.