Policia e Kosovës sot ka shkatërruar tre laboratorë droge në Mitrovicë të Veriut, gjatë operacionit policor të koduar me emrin “Shpata”, i cili është realizuar në tri lokacione.
Gjatë realizimi të këtij operacioni antidrogë është arritur të zbulohen tre laboratorë me bimë narkotike; dy laboratore me rreth 1200 bimë narkotike, si dhe laboratori i tretë (pa bimë) me pajisje të sofistikuara për kultivim të bimëve narkotike në të.
Njësitet policore deri në këtë fazë kanë arritur të arrestojnë dy persona të dyshuar meshkuj serb.
Pas aksionit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri të ditur se bashkëpronar i njërit prej laboratorëve është Dushan Slaviq i dyshuar edhe se kishte sulmuar Policinë e Kosovës muajin e kaluar në Leposaviq.
Sipas ministrit, njëri nga të arrestuarit në këtë operacion, është vëllai i D.S.
“Policia e Kosovës sot ka shkatërruar 2 laboratorë të drogës në Mitrovicën e Veriut. Bashkëpronar i njërit prej tyre është D.S., i cili sulmoi policët e Kosovës muajin e kaluar. Ai është pjesë e bandave që marrin urdhra nga krimi i organizuar në Serbi. Këto janë të mbështetura dhe të mbrojtura nga Vuçiq, Petkoviç. Ata po përpiqen të destabilizojnë vendin tonë me këto banda kriminale”- ka shkruar ministri në Twitter.
I përmendur nga ministri Sveçla, Dushan Slaviq 32-vjeçar është i dyshuar për mbi 80 vepra penale.
Muajin e kaluar, Slaviq dyshohet se ka qenë i përfshirë në një incident në Bistricë të Leposaviqit, ku u sulmua vetura me zyrtarë të Policisë së Kosovës, pasi të dyshuarit tentuan t’i shmangen postbllokut policor.
Për incidentin e 23 janarit në veri, Policia e Kosovës kishte njoftuar se kishte identifikuar dy persona të dyshuar, verifikimet e të cilëve kanë rezultuar me përfshirjen në veprimtari kriminale.
Sipas policisë, i dyshuari i parë ishte Dushan Slaviq dhe se ai dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, në mesin e tyre vrasje, detyrim, kanosje, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, grabitje, etj.
“I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (D.S. 1991), dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, detyrim, armëmbajtje pa leje, sulm, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanosje, vjedhje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, grabitje etj., etj. I njëjti ka kryer edhe mbi (20) kundërvajtje” – thuhej në njoftimin e policisë më 23 janar 2023.