Përjashtimi nga puna i arsimtares së matematikës në shkollën “Flamuri i Arbërit”, Remzie Lezit, për shkak të bartjes së shamisë ka nxitur reagime të shumta javët e fundit. Vendimi i shkollës është konsideruar i kundërligjshëm, prandaj është kërkuar që Lezi të kthehet në shkollë. Kështu ka bërë ajo vet gjatë ditës së sotme, kur edhe ia mësyu shkollës, por u përball më drejtorin Liman Bytyqi.
Gjithçka dyshohet se ndodhi pasi Lezi u paraqit sot në punë, por nuk u pranua nga Bytyqi, i cili po këmbëngulë që ajo nuk duhet të shkojë në shkollë derisa të merret një vendim nga DKA-ja.
Për konfliktin verbal që ndodhi në shkollë, në orët e mëngjesit, u njoftua edhe Policia, me ç’rast një patrullë policore doli në vendin e ngjarjes, ku u morën deklarata nga palët e përfshira.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se pas marrjes së informacioneve të para, Prokurori i Shtetit ka vendosur që drejtorin Bytyqi ta cilësojë si të dyshuar dhe ndaj tij të nisin hetimet.
Siç mëson Sinjali, Prokurori ka hapur rastin si Shkelje e statusit të sarabartë, vepër kjo e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kushdo që kryen këtë vepër “për shkak të përkatësisë kombëtare apo etnike, racës, fesë, apo për shkak që nuk i përket ndonjërës përkatësi, apo për shkak të bindjeve politike ose bindjeve të tjera, gjinisë, invaliditetit, identitetit gjinor, orientimit seksual, gjuhës, arsimit, pozitës shoqërore, prejardhjes sociale, gjendjes materiale, apo ndonjë karakteristike tjetër personale, tjetrit ia mohon ose kufizon të drejtat e përcaktuara me Kushtetutë, ligj ose dispozita të tjera, akte të tjera të përgjithshme ose marrëveshje të ratifikuara ndërkombëtare, apo i jep privilegje apo favore bazuar në këto dallime, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet”.