Latifi: Burokratët e Brukselit na kanë lodhur, termi normalizim i raporteve është i shpikur nga rusët

Profesori i njohur i filozofisë, Blerim Latifi, i cili është edhe këshilltar i kryetarit në detyrë të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se termi ‘normalizim i raporteve’ i shpikur nga rusët, është i gabuar dhe çon në rrugë të gabuara.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Latifi theksoi se ky normalizim i ka sjellur vendit paralizë në shtetformim.

“Ky termi “normalizim i raporteve”, me të cilin tash e sa vjet na kanë lodhur burokratët e Brukselit, është një term i fjalorit politik sovjetik. Ky normalizimi ynë na ka sjellë paralizë të shtetformimit”, ka thënë ai.

Sipas Latifit ky term është përdorur nga politika sovjetike, ku me normalizimin sovjetik Rusia ka futur në paralizë shoqërinë e atëhershme çekosllovake, gjë që ka përfunduar njëjtë edhe në formimin e shtetit tonë.

“Rusët e patën shpikur këtë term pas shtypjes së Pranverës së Pragës me 1968. Dhe si normalizimi sovjetik e futi në paralizë shoqërinë e atëhershme çekosllovake, dhe ky normalizimi ynë na ka sjellë paralizë të shtetformimit. Termat e gabuar natyrshëm çojnë në rrugë të gabuara”, thuhet në shkrimin e Latifit.

Siç thuhet në deklarata të shumta normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi forcon stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.