Kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe pretendenti për kryeministër nga radhët e koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka thënë se me anulimin e votave të ardhura nga Serbia i është kthyer integriteti i zgjedhjeve.
Ai përmes një konference për media ka thënë se PZAP sot e ka kthyer integritetin e vendit, duke dal si gardian i fuqishëm i zgjedhjeve dhe demokraci.
Ai tutje ka shtuar se nga sot Nisma dhe partnerët e koalicionit janë parti parlamentare dhe si të tilla do të përfaqësohen në parlament me gjashtë mandate.
“PZAP e ka kthyer në një masë integritetin e zgjedhjeve në Kosovë. PZAP sot ka dal si gardian i fuqishëm i zgjedhjeve dhe demokracisë së këtij vendi. Të gjithë ne duhet të i shprehim falënderimin këtij organi. Mirënjohje e respekt për ata burra e gra që nuk ranë në ndikim për të mos e respektuar ligjin. Siç e kemi thënë edhe para disa ditëve, KQZ ka shpallur rezultatin e rregullt por ai nuk është rezultat përfundimtar. Me rezultate të rregullt NISMA dhe AKR janë parti parlamentare. Dua të shpreh mirënjohjen time për dhjetëra publicistë që e kanë parë më të drejtë kthimin e ligjshmërisë në vend”, ka thënë ai,
Sipas tij, ata thanë që nëse do të pranoheshin ato vota si të rregullta ato vota nuk do të kthehet integriteti në vend.
“Nga sot edhe me vendim të PZAP nisma dhe partnerët e koalicioni janë parti parlamentare. Ne kemi thënë se ne do të jemi pasi të largohen ato vota të kontrabanduara. Ne do të vazhdojmë fuqishëm në mbrojtje të ligjshmërisë. Nisma 5.012 % bashkë me parterët e koalicionit. Ne jemi me 6 mandate në parlamentin e Kosovë”, ka thënë ai.
Gjatë ditës së sotme Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP-i, ka vendosur për 100 ankesat e paraqitura nga subjektet politike dhe kandidatët për deputetë të cilët janë paraqitur pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
PZAP-i 53 ankesa i ka pranuar të bazuara prej tyre lidhur me 52 ankesa paneli ka vendosur që të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1472 vendvotimeve.
Ndërsa lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranojë të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia.
23 ankesa janë hedhur te pasafatshme dhe të palejuara, 25 ankesa janë refuzuar të pabazuara dhe 1 ankesë konstatohet e tërhequr.