“Lista Serbe po kërcënon dhe shantazhon”, partitë e tjera serbe alarmojnë për ndikimin e Beogradit në zgjedhje

Lista Serbe po kërcënon qytetarët serbë me largim nga puna, ndalje të pagave, e dërgim në Beograd për t’u dënuar, nëse nuk e votojnë Listën Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kështu të paktën po aludojnë shumica e partive të tjera serbe në Kosovë, në prag të nisjes së fushatës.

“Nëse do t’i humbnim ato 10 mandate, ne do të zvogëlonim forcën e popullit serb në parlament dhe do t’u mundësonim mbajtësve të ardhshëm të pushtetit në Prishtinë që të zgjedhin serbët që janë të përshtatshëm për ta, siç bënë disa vite më parë”, tha Igor Simiq, nënkryetar i Listës Serbe ditë më parë.

Ndaj deklaratave të Simiqit reagoi ashpër lideri i partisë “Demokracia Serbe”, Aleksandër Arsenijeviq, duke i cilësuar frikësuese dhe shantazhuese.

Arsenijeviqi ka përmendur planet që Lista Serbe ka për komunitetin në veri nëse i humbin zgjedhjet.

“Dhe një pyetje tjetër për Igor Simiqin: a po i kërcënoni njerëzit se qeveria serbe ka përgatitur qendra kolektive në të gjithë Serbinë qendrore nëse nuk i fitoni të gjitha mandatet? A është e mundur që Beogradi po planifikon vërtet të ndëshkojë njerëzit e vet, siç pretendoni ju? Dëshironi një mandat tjetër për të heshtur edhe më shumë, ndërsa Prishtina na shtrydh në geto? Mos kërcënoni dhe trembni njerëzit, o njeri i turpshëm”, ka shkruar Arsenijeviqi.

Në këtë përplasje u përfshinë edhe të figura të tjera, si Nebojsha Miliq i Partisë së Drejtësisë, i cili tha se serbët nuk kanë më frikë nga kërcënimet e Listës Serbe.

“Njerëzit janë zgjuar, njerëzit nuk kanë më frikë nga kërcënimet tuaja…Ju vodhët gjithçka që mundët, e shitët edhe atë! Shkoni në Beograd, atje ku secili prej jush ka apartament, në emër të gruas, hallës, fëmijëve. Lërini njerëzit të luftojnë për një jetë të denjë pa juve dhe haraçin tuaj”, ka shkruar Miliqi.

Me kërcënime po përballen edhe njerëzit e ministrit Nenad Rashiq.

“Dhe një rast i fundit që ka ndodhur parmbrëmë ku një zyrtare e Ranillugut ishte diku por e ka lënë kerrin e parkuar, dhe kur është kthyer e ka gjetur veturën në kanal me një mesazh ku thuhet se jeni tu gabu, jeni në vendin e gabuar sepse herën tjetër edhe ti do të jesh në veturë”, ka deklaruar Rashiq në TV Dukagjini.

Rashiq thotë se edhe djali i tij që studion në Serbi sa herë që udhëton të paktën 4 orë ndalet në kufirin me Kosovën.

Ministri i vetëm serb në Qeverinë e Kosovës, thotë se zgjedhjet për serbët e Kosovës ngjajnë me Korenë e Veriut.

“Po mund të supozoj se fiton regjimi i cili fatkeqësisht është për momentin në Beograd, i cili i përdor serbët e Kosovës, sikur një mjet të manipulimit dhe prezantimit në anën tjetër për retorikën e brendshme sikur se di, krizë, tragjike, skandaloze, e të tjera”, ka deklaruar Rashiq.