Në gjithë luftën e Rusisë në Ukrainë, janë dy emra që janë bërë figura kyçe. I pari është Yegney Prigozhin, i dalluar për marrjen e kontrollit të qytetit lindor të Bakhmutit, me ndihmën e ushtrisë private që ai kontrollon dhe udhëheq, Wagner. I dyti është Ramzan Kadyrov, luftëtarët e të cilit gjithashtu kanë luajtur një rol të rëndësishëm në konflikt.
Megjithatë, mes tyre duket se ka një rivalitet, sidomos pas thashethemeve se lideri çeçen do të jetë “zëvendësues” i Prigozhin. Të enjten, Instituti për Studimin e Luftës (ISW) tha se kritikat e shpeshta ndaj Prigozhin nga zyrtarët çeçenë mund të jenë pjesë e një komploti të Kremlinit për të “goditur” shefin mercenar ndërsa trupat e tij tërhiqen nga vijat e frontit. Megjithatë, ka diçka që i bashkon të dy, paralajmërimet e frikshme për “armikun”, që nuk i kanë kursyer asnjëri. Prigozhin ka paralajmëruar se Rusia do të sulmojë me armë bërthamore territorin e vet, ndërsa Kadyrov se ushtria e tij është aq e fuqishme sa mund të pushtojë edhe vende europiane.
Alarmi i Prigozhin
Shefi i grupit mercenar Wagner ka pretenduar se Rusia mund të godasë me armë bërthamore territorin e saj në rajonin e Belgorodit, ku kryengritësit anti-Putin po “bëjnë kërdi”. Prigozhin, i cili ka qenë shumë kritik ndaj ushtrisë ruse, tha se forcat e Putinit mund të tërhiqen nga rajoni, pikërisht prej këtyre planeve mizore. “A është kjo arsyeja pse Rusia po tërhiqet në rajonin e Belgorodit, duke i lejuar ukrainasit të përparojnë, sepse është e frikshme të hedhësh një bombë në territorin e dikujt tjetër, por ne do ta hedhim në token tonë?”, pyeti Prigozhin me ironi, në një video. “Nuk dihet nëse bomba bërthamore do të funksiononte siç duhet,” shtoi ai, duke vënë sërish në dyshim aftësitë ushtarake të Rusisë.
Sulm ndaj Moskës
Gjatë intervistës, Prigozhin, i cili për një kohë të gjatë ka sulmuar autoritetet ruse, sepse ato nuk kanë siguruar municion të mjaftueshëm për trupat e tij, i ka dërguar një ultimatum të qartë Ministrisë së Mbrojtjes, duke lënë të kuptohet se ai mund të sulmojë Moskën nëse dërgesat nuk mbërrijnë. “Ne i japim ministrisë dy javë kohë për të çliruar territoret tona në rajonin e Belgorodit. Por nëse ata dështojnë, do të shkojmë atje”, tha kreu i Grupit Wagner. “Nëse kjo nuk ndodh dhe nëse situata vazhdon të përkeqësohet, atëherë ne do të shkojmë në Belgorod. Po sikur të shkojmë në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, për të kërkuar më shumë municion?”, paralajmëroi Prigozhin.Përçarja midis mercenarëve të Wagner-it dhe ministrisë ruse të mbrojtjes është thelluar edhe më tej në javët e fundit, sidomos pasi Prigozhin tha se kishte kapur rob një nënkolonel të ushtrisë ruse, i cili urdhëroi një sulm ndaj forcave mercenare ndërsa ishte “i dehur”. Javën e kaluar, Prigozhin tërhoqi njësinë e tij paraushtarake nga qyteti Bakhmut në Ukrainën lindore. Të hënën, formacioni i armatosur rus anti-Putin, Legjioni i Lirisë për Rusinë, i propozoi Prigozhin, shkëmbimin e ushtarëve rusë që kapën në Belgorod me nënkolonelin e kapur nga Wagner.Prigozhin refuzoi duke deklaruar se nuk ishte “një rob lufte” dhe duke shtuar se ushtria e tij Wagner “nuk i shkëmben rusët me rusët”.
Pushtimi i Evropës
Nga ana tjetër, Anton Gerashchenko, një këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Ukrainës, publikoi në Twitter një videonga gazeta çeçene Grozny Inform, në të cilën udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov thotë se një ushtri e madhe është gati që mund të pushtojë Poloninë, Francën dhe të arrijë Gjermaninë. “Forcat speciale të Akhmat, të përbëra nga tre divizione, janë një forcë e madhe e aftë për të pushtuar Poloninë, Francën dhe për të arritur në Gjermani. Dhe kjo do të ndodhë në të ardhmen e afërt nëse kundërshtarët nuk ndryshojnë taktikën e tyre”, tha kreu i Republikës Çeçene, Ramzan Kadyrov. Deklaratat, duket se ishin përgjigje për “talljet” e Prigozhin, se batalioni çeçen Akhmat nuk ishte në gjendje të pushtonte as Republikën e vetëshpallur të Ukrainës Donetsk. Prigozhin kishte thënë se njësitë çeçene, besnike të Vladimir Putin, mund të mbanin vetëm disa, por jo të gjitha zonat e rajonit.