Macroni nxit reagime: Do t’i irritojmë të pavaksinuarit – deri në fund, kjo është strategjia

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka shkaktuar reagime, pasi tha se strategjia e qeverisë së tij për vaksinimin e popullsisë është që t’i zemërojë personat e pavaksinuar duke vazhduar që t’ua bëjë jetën e përditshme gjithnjë më të vështirë.

“Nuk jam për t’i zemëruar francezët, por sa u përket të pavaksinuarve, vërtet dua t’i zemëroj dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë deri në fund. Kjo është strategjia”, tha presidenti francez.

Deklarata e tij erdhi në kohën kur kuvendi debatoi për një ligj të ri, i cili, nëse miratohet, do t’ua lejojë vetëm personave të vaksinuar – jo më atyre që kanë test negativ – që ta marrin pasaportën shëndetësore nga muaji i ardhshëm, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Express.

“Në një vend demokratik, armiqtë më të këqij janë gënjeshtrat dhe budallallëku. Po u bëjmë trysni të pavaksinuarve duke ua kufizuar, sa më shumë që është e mundshme, qasjen e tyre në aktivitetet e jetës sociale”, shtoi presidenti francez.

Sipas tij, Franca ka vaksinuar pothuajse 90 për qind të popullsisë dhe se “është vetëm një pakicë shumë e vogël që po reziston. Si e pakësojmë pakicën? E pakësojmë – më falni për shprehjen – duke i irrituar edhe më shumë”, tha ai.

“Duhet t’u tregojmë: nga 15 janari, nuk do të mund të shkoni më në restorant. Nuk do të mund të shkoni më në kafene, nuk do të mund të shkoni më në teatër. Nuk do të mund të shkoni më në kinema. Kur liritë e mia i kërcënojnë ato të të tjerëve, unë bëhem person i papërgjegjshëm. Një person i papërgjegjshëm nuk është qytetar”, shtoi Macroni.