Nga Sokol Paja, Gazeta Dielli – SHBA
New York më 5 Shtator 2021 – Mark Gjonaj, Këshilltari i Bashkisë së New York-ut dha 2.9 milionë dollarë për ndërtimin e sheshit Nënë Tereza në Pelham Parkway, Bronx, New York në një ceremoni madhështore të organizuar nga Famullitari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj me rastin e 5-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës.
Ceremonia festive u organizua në Qëndren Kulturore Nënë Tereza pranë Kishës Katolike Zoja e Shkodrës ku ishin të mbledhur përfaqësues nga komuniteti shqiptar, klerikë, politikanë, besimtarë, mediat lokale dhe shumë patriotë të ardhur nga viset shqipfolëse.
Famullitari Dom Pjetër Popaj në drekën që shtroi për komunitetin shqiptar në qendrën kulturore Nënë Tereza në nder të Shën Nënë Terezës u ndal të rëndësia dhe veçantia e festës dhe misionares Nënë Tereza.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Këshillit të Kishës z.Nikolle Grishaj. Gjatë ceremonisë u kënduan këngë për Nënë Terezën nga Kori i Kishës.
Famullitari Popaj bekoi drekën, u lut për komunitetin dhe dha bekime solemnisht për pjesëmarrësit në këtë ditë të shënuar të Shenjtores shqiptare. Dom Pjetër Popaj tha se: ‟Nënë Tereza për shqiptarët është një ndihmë e madhe për kombin fetarisht e shpirtërisht. Nënë Tereza dha mirësi e dashuri e lartësoi traditat tona të larta shqiptare. Promovoi cilësi të popullit shqiptar. Ajo i dha besën Krishtit për të qenë drita e Zotit mbi tokë. Nënë Tereza na bën krenar dhe ka promovuar vlerat shqiptare si mikpritja, e veçantë ndër popujt e botës. Në çdo kohë ajo forcoi më përshpirtshmëri e qëllim për të varfërit e të pamundurit. Sot është një ditë speciale falenderimi” tha në mesazhin e tij Famullitari Popaj.
Këshilltari Mark Gjonaj, “Nderi i Kombit” në ceremoninë e dhurimit të 2.9 milion dollarëve për ndërtimin e sheshit Nënë Tereza në Pelham Parkway, Bronx, New York u ndal te figura e Nënë Terezës dhe rëndësia që ajo ka si misionare me gjak shqiptar, si shërbëtore ndaj njerëzve të braktisur e të pamundur, si një grua që shërbeu me devotshmëri, pasion, përshpirtshmëri dhe kudo mbolli dashuri, paqe dhe buzëqeshje. Nënë Tereza tha z.Gjonaj është personifikimi më i lartë i qënies njerëzore dhe lartësimi më i madh i kombit tonë në kulturat dhe vlerat e popujve të botës. Këshilltari Gjonaj foli për shqiptarët e spikatur në komunitetin shqiptar ku veçoi punën e Dom Pjetër Popaj si bari shpirtëror dhe punën e jashtëzakonshme humanitare të Aleksander Nilaj si humanist me shoqatën shqiptaro-amerikane “Duart e Hapura” duke ndihmuar njerëzit në nevojë në Bronx dhe jo vetëm.
Në fjalën e tij Mark Gjonaj u ndal edhe te projektet e jashtëzakonshme që pasojnë këtë festë të Nënë Terezës siç do jetë: Një rrugë me emrin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Bronx, Qëndra Shqiptare Iliria në Jacoby Hospital, një qendër multifunksionale që do kryejë shumë shërbime në dobi të komunitetit shqiptar dhe një Seli speciale që do u shërbejë organizatave shqiptare në New York që bashkëpunojnë për të mirën e komunitetit dhe të kombit shqiptar.
Kongresmeni Ritchie Torres, bashkëpërfaqësuesi i çështjes shqiptare, zëri shqiptar në Uashington, në ceremoninë e dhurimit të 2.9 milion dollarëve u shpreh falenderues për punën e jashtëzakonshme që ka bërë në komunitetin shqiptar Mark Gjonaj dhe shprehu rëndësinë e festës së Nënë Terezës, shembullit të saj, misionit të saj dhe mbi të gjitha mesazheve të përbotshme që ka dhënë Nënë Tereza për të bërë gjëra të vogla por me dashuri të madhe.
“Jam i nderuar, falenderues dhe mirënjohës që marr pjesë në këtë festë të shenjtërimit të Misionares Nënë Tereza me komunitetin e dashur dhe të respektuar shqiptar. Të gjithë duhet ti jemi mirënjohës kombit shqiptar që na ka dhënë këtë shenjtore të madhe. Është një ceremoni e veçantë sot pasi ne përkujtojmë një misionare që vazhdon të frymëzojë miliona prej nesh”, u shpreh Kongresmeni Ritchie Torres.
Bronx Parks Commissioner Iris Rodriguez-Rosa shprehu falenderim dhe mirënjohje të veçantë për dhurimin e Mark Gjonaj për ndërtimin e Sheshit Nënë Tereza dhe u ndal te forca e Nënë Tereëz si besim, shpresë, dashuri dhe frymëzim. Ceremonia vazhdoi me dhurata për miqtë e veçantë të festës Kongresmeni Ritchie Torres dhe Bronx Parks Commissioner Iris Rodriguez-Rosa ku këshilltari Mark Gjonaj u dhuroi portrete të Nënë Terezës të stolisura në punime dore. Ceremonia vazhdoi vëllazërisht me çaste gëzimi, lutje, biseda miqësore e vëllazërore.