Një ditë pas masakrës në Velipojë që tronditi mbarë opinionin, është zbardhur dëshmia e Hasan Ferracakut, i cili nga ngjarja ku u vranë 4 persona, ai mbeti i plagosur. Kështu, sipas dëshmisë së dhënë para autoriteteve hetimore, ai mësohet të jetë shprehur se kishin shkuar tek hoteli i familjes Gocaj për të biseduar, pasi më herët kishin pasur debat për shezlonget.
“Fillimisht kemi zhvilluar një debat tek shezlonget në plazh sepse ata i kanë vendosur në vendin ku këtë vit e kemi pasur të drejtën ne pas aplikimit që kemi bërë. Pas atij debati kemi shkuar në darkë tek hoteli Gocaj për t’u sqaruar me familjen Gocaj. Jemi ulur në tavolinë për të biseduar. Ne i kemi thënë që të gjejmë një marrëveshje, pasi ata i kishin vendosur më përpara shezlonget në një kohë që këtë vit kjo e drejtë ishte e jona në bazë të aplikimeve”.
“Ata nuk kanë pranuar duke thënë se duhet të presin derisa të përcaktohet edhe vendi i tyre. Gjatë bisedës ka nisur debati dhe gjërat janë acaruar duke bërë që të përdoren edhe armët. Ne kemi shkuar për të folur dhe për të gjetur një zgjidhje për shezlonget, por situata u acarua dhe pas krismave të armëve nuk e di çfarë ka ndodhur më. Di që ata kanë qëlluar ndaj vëllait dhe ne të tjerëve dhe në atë moment vëllai është vetëmbrojtur. Unë nuk kam qëlluar dhe kemi shkuar vetëm për të biseduar sepse janë njerëz që ne i kemi njohur dhe kemi pasur marrëdhënie të mira, por situata doli nga kontrolli…”
Ngjarja e rëndë me katër viktima dhe dy të plagosur ndodhi pak pas mesnatës të së dielës.
Familja Ferracaku shkoi në hotelin e familjes Gocaj ku fillimisht patën debat verbal, më pas situata u përshkallëzua në përdorimin e armëve. Të vrarë nga kjo ngjarje mbetën Kujtim Ferracaku, dy vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj, si dhe kamarieri Myzerim Zeneli 20 vjeç. Ndërsa Hasan Ferracaku dhe Elmilind Dyli u plagosën. Ata ndodhen aktualisht në spitalin e Traumës në Tiranës, ku gjatë pasdites të së dielës iu komunikua masa e arrestit me burg.
Po ashtu, policia ka shpallur në kërkim dhe tre djemtë e Hasan Ferracakut, Abedin, Shyqyri dhe Besar Ferracaku, që njihen edhe me mbiemrin Verracaku, pasi dyshohet se kanë qenë bashkëpunëtorë në sherrin që përfundoi me katër të vrarë./tvklan