Mbetjet e rrezikshme rikthehen në tokën shqiptare, anija ankorohet në Durrës

Anija e dyshuar se ka në ngarkesë mbetje të rrezikshme është akostuar në Portin e Durrësit. A2 CNN raporton se me asistencën dhe survejimin e organeve ligjzbatuese dhe atyre portuale, do të kryhet procesi i shkarkimit në Terminalin e Kontejnerëve.

Prej aty, do të transportohen me kamionë (në rrugë tokësore) drejt Porto Romanos që është destinacioni final, afër Eco Parkut, vendit ku do të mbahen nën survejim nga policia.

Anija “Moliva” me mbetje të rrezikshme qëndroi prej disa ditësh në në radën portuale në Durrës. Shkarkimi i mbetjeve kimike të anijes vjen pas vendimit për sekuestro nga ana e Prokurorisë.

Kujtojmë se 2 anije me mbetje ishin nisur në prill dhe korrik drejt Tajlandës dhe Kinës, por ato u kthyen pas ngritjes së alarmit nga organizatat ndërkombëtare, se në to ndodheshin mbetje të rrezikshme dhe po bëhej eksport i paligjshëm, raporton A2.

Mbetjet e rrezikshme rikthehen në tokën shqiptare, anija ankorohet

Pas shkarkimit të mbetjeve, pritet të bëhen të gjitha verifikimet dhe analizat, për të parë shkallën e rrezikshmërisë së mbetjeve dhe për të bërë hetimet e nevojshme të çështjes.

Alarmi për transportin e mbetjeve toksike, ndezi debatin mes opozitës dhe qeverisë, ndërsa një grup aktivistësh të shoqërisë civile me mbështetjen edhe të Partisë Demokratike protestuan më 27 tetor kundër rikthimit të lëndëve toksike në Portin e Durrësit.

Prokuroria e Durrësit nisi në 21 gusht hetimet mbi çështjen e transportit të dhjetëra kontejnerëve me mbetje të rrezikshme që dyshohet se kanë dalë nga territori shqiptar drejt Tajlandës.