Të paktën 5 mijë krime lufte të kryera nga rusët janë momentalisht subjekt i një hetimi në Ukrainë. Sipas Prokurores së Përgjithshme, Irina Venediktova, përveç vrasjeve, ushtarët rusë kanë ushtruar dhunë seksuale, jo vetëm ndaj grave dhe burrave, por edhe fëmijëve dhe të moshuarve.
Prokurorja i përshkruan qytezat e çliruara rreth Kievit si “rajon i torturuar nga ferri” dhe zotohet të ndëshkojë aktet çnjerëzore në tokën e saj.
Në Bucha, qytet ukrainas ku rusën lanë pas shumë viktima civile, u zbulua një tjetër varr masiv, ndërsa imazhe rrëqethëse vijnë edhe nga qyteza të tjera si Irpin dhe Borodianka.
Kryebashkiaku i Bucha rrëfen se kishte qenë dëshmitar në ekzekutimin e disa prej 320 civilëve të vrarë. “I pashë vetë disa prej episodeve. Kishte automjete me civilë që donin të evakuoheshin në drejtim të Kievit dhe u vranë brutalisht me armë zjarri. Ishte edhe një grua shtatëzënë, bashkëshorti i së cilës i kërkonte mes britmave ushtarëve të mos qëllonin. Por ata qëlluan dhe e vranë”, tha Anatoly Fedoruk.
Bilanci i përditësuar i autoriteteve flet për të paktën 167 fëmijë të vrarë dhe 279 të plagosur deri më tani nga ushtarët e Vladimir Putin. Rreth 927 shkolla dhe institucione të tjera edukimi janë dëmtuar në bombardime.
42 ditë pasi Moska urdhëroi atë që e quajti operacion special në Ukrainë, lufta vijon me të njëjtin intensitet, por tani e përqendruar kryesisht në zonën lindore dhe jugore.
Shefi i forcave të armatosura thotë se rusët po ndërmarrin një operacion agresiv që synon marrjen e kontrollit të rajoneve të Luhansk dhe Donetsk. Nën bombardime intensive edhe Mariupoli ku situata humanitare sa vjen e përkeqësohet.
Por të mërkurën shpërthimet u dëgjuan edhe në rajonin perëndimor të Lviv, ku sipas Kremlinit ishin hedhur raketa të saktësisë së lartë kundër strukturave ushtarake.