Shiritin e vunë për të mbyllur objektin që deri më sot kishte shërbyer si komunë ilegale serbe në Osojevë të Istogut.
I nisur që në mëngjes, ky aksion i Prokurorisë dhe Policisë ka përfunduar pas më shumë se 7 orësh.
Mjetet e sekuestruara nga objekti në Osojevë e ku përfshiheshin dokumente, kompjuter e mobile janë bartur me kamion.
Pakënaqësitë lidhur me këtë veprim u shprehën haptazi edhe nga serbët lokalë.
Megjithatë, kjo nuk është bastisja e vetme, pasi gjatë ditës aksioni ka përfshirë edhe komuna të tjera në rajonin e Dukagjinit
Një e tillë u realizua edhe në Pejë, në një objekt me po të njëjtin funksion.
“Gjendemi tek strukturat paralele serbe në Gorazhdec të Pejës. Dëshmitar të rastit i kanë treguar televizionit se objekti i cili gjendet prapa meje u shërbente për tu pajisur me dokumente ndërlak ajo se çka kanë parë, janë zyrtarë të Policisë së Kosovës duke bastisur vendin e më pas duke marrë të gjeturat me vete”.
Objekti tanimë i mbyllur, gjendet rreth 50 metra larg një dege të stacionit policor të Policisë së Kosovës.
Si shpesh së fundmi, në terren edhe për këtë aksion doli Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se “Nuk ka vend për institucione ilegale në Republikën e Kosovës, vazhdojmë me rend e ligj për të gjithë pa asnjë dallim e diskriminim”.
Bashkë me Sveçlën ishte edhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
E nga prokuroria, nuk kanë dhënë detaje lidhur me rastin.
Shkodran Nikçi, Prokuroria Themelore në Pejë,ka thënë se “Prokurori i Shtetit me Policinë e Kosovës janë në terren. Janë duke u kry aksionet dhe aktualisht nuk mund të japim për momentin më shumë detaje por pas aksionit do dalim me detaje”.
Bastisjet kanë përfunduar në orën 17:00.
Veprimtaria e komunave paralele, së fundmi ka qenë në cak të institucioneve të rendit edhe në Dragash që u kanë vënë drynin në disa lokacione.