Sot, në mesditë, dy persona u plagosën në qendër të qytetit të Klinës, në afërsi të zyrës së një avokati, pas një përleshje të momentit, kur situata eskaloi në përdorimin e armës. Sinjali raportoi ekskluzivisht se në këtë përleshje u përfshinë dy familje, Gashi dhe Daka, si dhe një avokat. Gjithë ngjarja dyshohet se ndodhi pasi tre anëtarë të familjes Daka, dyshohen se filluan sulmin ndaj avokatit dhe për t’i dalë në mbrojtje këtij të fundit, ndërhyri edhe familja Gashi.
Avokati të cilit i doli në ndihmë Zafer Gashi, bashkë me djalin e tij, Fitimin, i cili më pas dyshohet se u plagos nga Rasim Daka, është Veton Puka.
Ashtu siç raportoi Sinjali fillimisht, edhe Zafer Gashi është shprehur se dy të dyshuarit Rasimi dhe Maliqi e kanë sulmuar fillimisht avokatin Puka dhe për të mos u përshkallëzuar situata, ai me djalin e tij i kanë dalë në ndihmë dhe s’kishin të bënin asgjë me problemin e tyre.
Në një deklaratë publike, Gashi ka thënë se është prerë në besë nga familja Daka, të cilët sipas tij ‘kurdisën’ siç thotë ai planin vrastar dhe i sulmuan.
“Me preu në besë Rasim Daka e Maliq Daka. Unë dhe djali skishim kurfar fjalosje me te ne ishim në mbrojtje të avokatit Veton Puka te cilin e sulmuan po sa doli nga zyra e ti e punës. Ne smund ta lenim vetem Avokat Vetoni pas zenkes qe pat në zyre me Maliq Daken donim ta percjellim Avokatin deri në shtepi te ti. Maliq Daka e ftoi djalin e ti, vellaun e ti , djalin e vellaut dhe nje tjetre dhe ishin te armatosur te katertit. Ky skenar vrastar ishte i kurdisur dhe i planifikuar nga Maliq Daka”, ka shkruar ai
Sipas tij, kur familja Daka nisi sulmin, ai iu ishte drejtuar Maliq Dakës me disa fjalë.
“Ata të armatosur ( kater veta) kishin zenë pusi dhe menjeher na sulmuan me armë e cila e plagosi rënd djalim tim. Me zakone shqiptare ju drejtova me duar lart: O Maliq Daka fale kesaj here Veton Puken se a me mua”.
Ndryshe, deri më tani lidhur me këtë rast janë arrestuar pesë persona, tre anëtarë të familjes Daka, Rasimi, Maliqi dhe Erturi, djali i Zafer Gashit, Fitim Gashi, si dhe avokati Veton Puka.
Policia ka njoftuar se të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit, ndërkohë që janë sekuestruar armët e gëzhojat, një sprej e një brisk, që u gjetën në vendin e ngjarjes.
Burimet e Sinjalit thonë se në këtë përleshje u përdorën armë nga Fitim Gashi dhe Rasim Daka, ndërsa të dyshuarit e tjerë janë përfshirë në rrahje.
Sipas burimeve brenda spitalit, Fitimi ka pësuar plagë në këmbë, ndërsa Rasimi është plagosur në bel, teksa Maliq Daka ka dëmtuar disa dhëmbë gjatë përleshjes.
Të arrestuarit për këtë rast do të hetohen për kryerjen e veprave penale “vrasje në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje”.