Kosova nuk do të kërkojë anëtarësim në Kombet e Bashkuara pa pëlqimin e qartë të të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – Francës, Britanisë, SHBA-së, Rusisë dhe Kinës – njoftuan mediat e Beogradit të dielën në mbrëmje, duke iu referuar diplomatëve që punojnë në “udhërrëfyesin” për zbatimin e planit evropian për Kosovën.
Portali Nova ka bërë të ditur se kjo thuhet në një dokument të përpiluar nga diplomatët, të cilët po përgatisin kalendarin për zbatimin e propozimit për marrëveshjen evropiane për Kosovën, për të cilin kanë rënë dakord presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Liderët e Serbisë dhe Kosovës e mbështetën propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjellta dhe shprehën gatishmërinë për të filluar zbatimin e tij”, tha Borrell, i cili së bashku me Lajçakun priti në Bruksel së fundi, për një përballje sy më sy, Vuçiçin dhe Kurtin.
Dokumenti i hartuar nga diplomatët “përpiqet për të gjetur një zgjidhje për kundërshtimin e Serbisë për pranimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, e cila interpretohet si një njohje joformale e pavarësisë”, shkruan Nova.
Kjo njëkohësisht pranon rëndësinë e Rusisë dhe Kinës si lojtarë gjeopolitikë dhe anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe është një gjest simbolik ndaj Moskës dhe Pekinit, të cilët janë në anën e Serbisë, duke mos e njohur Kosovën.
Pëlqimi i Serbisë për pranimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare parashikohet në pikën 4 të propozim-marrëveshjes së BE-së, dhe kjo është pikërisht ankesa kryesore e Beogradit dhe “vija e kuqe”, pasi Serbia refuzon kategorikisht të njohë Kosovën dhe të pranojë që kjo e fundit të marrë një ulëse në OKB.
Në dokumentin e titulluar “Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – Zbatimi i nenit 4”,një kopje e së cilës e publikon Nova, thuhet se propozimi është frymëzuar nga Marrëveshja Themelore mes dy Gjermanive nga 1972, dhe se nuk bëhet fjalë për njohje reciproke, por për bashkëjetesë dhe bashkëpunim paqësor.
Republika Federale e Gjermanisë nuk e njohu kurrë Republikën Demokratike Gjermane dhe anasjelltas. Megjithatë, Traktati Themelor i vitit 1972 i lejoi dy Gjermanitë të pranonin realitetin e ekzistencës së tjetrës.
Kjo gjithashtu u mundësoi vendeve perëndimore të zhvillojnë marrëdhënie me RDGJ.
“Nëse Serbia dhe Kosova vazhdojnë me vendosmërinë e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian, normalizimi i plotë do të ndodhë së shpejti përmes njohjes reciproke”, thuhet në dokumentin, i cili duhet të jetë pjesë e “udhërrëfyesit” për zbatimin e planit evropian për Kosovën.
Theksohet se “për momentin, bashkëjetesa përmes bashkëpunimit dhe marrëdhënieve paqësore, pavarësisht dallimeve, është e vetmja gjë që kërkon bashkësia ndërkombëtare nga Serbia dhe Kosova”.