Mediat e Vuçiqit “në zi”, sulmuesit e armatosur i cilësojnë “heronj”

Pas heshtjes fillestare, në momentet kur u zhvillua sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, mediat nën kontrollin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq u përfshinë aktivisht në justifikimin e sulmit ndaj Policisë së Kosovës, duke i cilësuar sulmuesit e armatosur si “heronj”. E kanë vazhduar edhe sot, në ditën që u shpall “ditë zie” nga Qeveria e Serbisë.

Në ballinën e “Informer” janë fytyrat e sulmuesve të armatosur që vdiqën në Banjskë, me mbishkrimin “Ata janë heronjtë tanë të Kosovës”.

“Igor Milenkoviq, Bojan Mijailoviq, Stefan Nedelkoviq dhe të paktën një serb tjetër, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur, u ngritën të dielën kundër terrorit të tmerrshëm të ‘shiptarit’ dhe dhanë jetën për atdheun e tyre. Lavdi e përjetshme dhe falënderim për ta”, shkruhet në ballinën e kësaj gazete serbe.


Ballina e “Veçernje Novosti” ka në fokus kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me mbishkrimin “Xhelati ia mbuloi mantelin viktimës brenda natës”.

Ata kujtojnë edhe ndezjen e qirinjve të djeshëm në Beograd me titullin “Lot dhe qirinj për serbët e rënë, trishtim dhe shqetësim në veri të Kosovës”.

Edicioni i sotëm i “Blicit” serb ka ballinë bardh e zi, si gazetat e tjera të regjimit të Vuçiqit.

Në fokus është titulli “Perëndimi po humbet kontrollin e tij ndaj Kosovës, pse diplomatët e huaj tregohen të kujdesshëm pas ‘javës së përgjakshme’ në Banjskë”. Gjithashtu, aksioni i policisë së Kosovës u cilësua si terror.

“Terrori i Kurtit vazhdon, tetë serbë janë arrestuar, disa prej tyre janë plagosur”.

Titujt e tillë vetëm sa konfirmojnë faktin se Beogradi dëshiron ta relativizojë këtë akt dhe ta paraqesë atë si diçka që është një përgjigje ndaj represionit të pretenduar të autoriteteve të Kosovës.

Të dielën, pas vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, rreth 30 sulmues u strehuan në Manastirin e Banjskës.

Në aksionin e Policisë së Kosovës, zyrtarisht janë të konfirmuar tre sulmues të vdekur. U arrestuan tetë persona. Gjatë operacionit u gjet një sasi e madhe armësh.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë se është përgjegjëse për organizimin e një grupi serbësh të armatosur.