Mehmet Kraja: Feja nuk ka kuptim, nëse nuk e lartëson njeriun dhe nuk e ndan atë nga veset e ulëta

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Mehmet Kraja ka deklaruar se Kosova është e përfshirë nga një analfabetizëm funksional i përmasave të frikshme. Në një intervistë për “Bota sot”, Akademik Kraja ka folur mbi krizën morale, politike e kulturore që e ka kapluar vendin. Do të lexoni rreth situatës në të cilën gjendet sot ASHAK. Pse sipas Akademik Krajës është e rëndësishme ideologjia apo se kë përkrah një shkrimtar i cili merr çmimin Nobel. Nga ana tjetër, ai ka potencuar se, skena jonë politike përfundimisht është e korruptuar, tërësisht amorale dhe burim i të gjitha idiotizmave.

Vendi, që prej kohësh është tërësisht në krizë morali, që ka përfshirë edhe individët, edhe komunitetet, edhe institucionet, edhe shoqërinë civile. Sipas jush, cila është rrugëdalja nga kjo krizë?

Kraja: Krizat zakonisht nuk vinë vetë, nuk janë as të shkëputura nga realiteti aktual dhe historik, nuk janë të shkëputura as nga mentaliteti dhe etnopsikologjia. Falsiteti moral i shoqërive konservative, te ne i shartuar me injorancë, është problemi i parë. Së dyti, falsiteti moral i “modernitetit”, gjithashtu i shartuar me injorancë, është problemi i dytë. Marrë në përgjithësi, them unë, janë nja dhjetë shkaqe që e kanë prodhuar këtë gjendje, por gjithnjë, nga i pari tek i dhjeti, në këtë shkallëzim faktorësh qëndron mungesa e emancipimit, bashkë me ndonjë nën faktor tjetër. Me një fjalë, në rrethanat tona, injoranca prodhon demokraci jofunksionale, injoranca prodhon pushtet të korruptuar, injoranca prodhon krizë morale, injoranca nxjerr në sipërfaqe vese njerëzore të shëmtuara, injoranca është krah i fortë i korrupsionit, e kështu me radhë.

 A mund të ndikoj feja në këtë drejtim?

Kraja: Feja nuk ka kuptim, nëse nuk e lartëson njeriun dhe nuk e ndan atë nga veset e ulëta. Por te ne feja merret me politikë, nuk merret shpirtrat e bjerrë, pra është e korruptuar në përbërësit e saj themelorë. Morali fetar te ne nuk qëndron mbi pragmatizmin e një shoqërie në krizë vlerash. Ajo që nuk ka kuptim në rrethanat tona, është një shpërpjestim i ndjeshëm ndërmjet shtimit enorm të njerëzve që praktikojnë fenë, në një kohë që shoqëria sharron gjithnjë e më shumë në krizë morale. Kosova kurrë nuk ka pasur kaq shumë besimtarë, veçmas te gjeneratat e reja, por kurrë nuk ka pasur kaq shumë gënjeshtër, hajni, krim, kurvëri dhe çdo gjë tjetër që lidhet me cenimin e vlerave njerëzore. Me një fjalë, feja te ne nuk merret me punët e veta, por me punët që nuk takojnë asaj.