Së paku 44 iranianë kanë vdekur nga përdorimi i alkoolit fals pasi besuan se këto pije i mbrojnë nga infektimi me koronavirus.
Më shumë se tetë mijë persona janë infektuar dhe 291 kanë vdekur deri më tash nga koronavirusi në Iran, duke e bërë njërin nga shtetet më të goditura pas Kinës.
Shumë banorë të Iranit e përdorin alkoolin fals duke besuar se ai i mbron dhe i shëron nga virusi Covid-19, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Mediet shtetërore raportuan se viktimat përdorën alkool të prodhuar në kushte shtëpiake duke besuar në thashethemet se pija do të jetë efektive në trajtimin e koronavirusit dhe kështu u helmuan.
Përdorimi i alkoolit është i ndaluar me ligj në Iran, përpos për disa pakica jomyslimane. Sidoqoftë, mediet lokale vazhdimisht raportojnë për raste fatale të helmimit me pije alkoolike false.
Të gjitha 31 provincat iraniane kanë raportuar persona të infektuar me koronavirus. Javën e kaluar, autoritetet paralajmëruan se mund të vendosin kufizime të udhëtimeve mes qyteteve si masë parandaluese.