Sotë në orën 10 e 30 është mbajtur Samiti virutal i Parisit i iniciuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Në këtë Samit kanë marrë pjesë edhe dy përfaqësuesit e BE-së, Josep Borell, dhe Mirsolav Lajcak.
Ajo që ka rënë në sy gjatë këtij Samiti, ka qenë paraqitja e liderëve.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në paraqitjen e saj në këtë Samit, pas shpinës së saj, krahas flamurit të Gjermanisë, ka vendosur edhe atë të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Ndryshe ka vepruar Macron, i cili në prapavijë ka vendosur vetëm flamurin e Francës dhe të Bashkimit Evropian.
Vuçiq ndërkohë ka vendosur vetëm flamurin e Serbisë, derisa kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka vendosur flamurin e Republikës së Kosovës dhe atë të Bashkimit Evropian.
Temë kryesore e këtij Samiti ka qenë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Hoti i ka bërë të qarta parimet me të cilat Kosova bëhet pjesë e tryezës së negociatave. Ai ka thënë se territori dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës janë të paprekshme. Ai ka kërkuar zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe gjithashtu ka kërkuar drejtësi për viktimat e dhunës të çfarëdo forme që shteti serb ka ushtruar gjatë luftës në Kosovës.
Gjithashtu, kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se marrëveshja finale duhet të ketë rezultat njohjen reciproke dhe sigurimin e ulëses për Kosovën në OKB.
Këto parime ndërkohë nuk i kanë pëlqyer fare presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic, i cili i ka quajtur edhe si ultimatume të Kosovës.