Shtatë ditë pas fillimit të pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës, mbetet e paqartë se sa viktima ka pësuar Rusia.
Qeveria ukrainase tha më 2 mars se numri “indikativ” i humbjeve të Rusisë është 5 mijë 840 njerëz. Rusia ka pranuar se ka pasur humbje vetëm katër ditë pas fillimit të luftës dhe nuk ka dhënë asnjë shifër.
Por video dhe foto të shumta nga fushat e betejës sugjerojnë se forcat pushtuese kanë pësuar viktima të rënda.
Në fund të shkurtit, dhjetëra pjesëtarë të shërbimit ushtarak rus u vranë në një aksion pranë qytetit të Chernihiv-it si rezultat i rezistencës ukrainase. Më pas, dhjetëra trupa të vdekur rusë u dërguan në shtëpi fshehurazi, pa e pranuar udhëheqja ruse vdekjen e tyre.
Kyiv Independent mori një mesazh audio në WhatsApp nga një grua me banim në qytetin Aleysk, në rajonin Altai të Rusisë, ku gjendet dhe baza e Brigadës së 35-të.
Në mesazhin zanor, një grua e paidentifikuar qan duke thënë se “brigada e tankeve” lokale ishte “shkatërruar totalisht në Ukrainë”.
Në veçanti, ajo përmend se “vetëm 18 nga 150 djem mbijetuan”, ndoshta do të thotë që një nga formacionet e brigadës u shkatërrua nga trupat ukrainase. Përveç kësaj, folësja thotë se grupi i parë prej 45 arkivolesh, kryesisht të rinj nga qyteti dhe fshatrat përreth, po vinin në Aleysk ditën kur u regjistrua mesazhi zanor.
Gruaja, duke qarë, thotë gjithashtu se disa nga të vrarët ishin fqinjë dhe të njohur të saj. Ajo përmend veçanërisht një pjesëtar të shërbimit ushtarak të quajtur Evgeniy Zhilin. Ky emër mund të gjendet në regjistrin e zbuluar të 120 mijë ushtarëve rusë që dyshohet se janë përfshirë në pushtimin e Ukrainës, të publikuar më 1 mars nga Qendra e Ukrainës për Strategjitë e Mbrojtjes. Ekziston gjithashtu një llogari e fshirë në rrjetet sociale VK e një personi me emrin Evgeniy Zhilin nga Aleysk-u.
Sipas gruas, të vrarët ishin kryesisht meshkuj shumë të rinj. Komuniteti lokal mësoi për vdekjen e tyre një ditë para se të bëhej regjistrimi dhe vajtoi humbjen.
Zbulimi konfirmohet pjesërisht nga disa prova për përfshirjen e Brigadës 35 të Rusisë në Ukrainë. Dihet se formacionet e blinduara të brigadës u shkatërruan në përleshjet e armatosura pranë qytetit Chernihiv, në veri të Kievit, më 26 shkurt, me shumë ushtarë të vrarë ose të zënë rob.
Ushtria ukrainase në atë ditë raportoi veçanërisht se kishin kapur Majorin, Leonid Shchetkin, i cili shërbeu si shef ekzekutiv dhe zëvendës drejtues batalioni me njësinë ushtarake të Rusisë Nr. 41659, e cila është baza për Brigadën e 35-të.
Përveç kësaj, trupat ukrainase postuan një video që tregonte ushtarët rusë të dorëzuar duke pranuar hapur se ishin pjesëtarë të shërbimit të brigadës me bazë në Aleysk.
Ky nuk është debutimi i parë luftarak i Brigadës së 35-të në Ukrainë – në vitin 2014, formacionet e saj u panë të angazhuara në luftime kundër forcave ukrainase në rajonin e Luhanskut në Ukrainën lindore.
Ndërkohë, udhëheqja ruse vazhdon të refuzojë të publikojë ndonjë të dhënë të saktë për viktimat e luftës së saj në Ukrainë. Në shumicën e rasteve, mediat ruse të propagandës raportojnë për “operacionin special ushtarak të Rusisë në Ukrainë” duke thënë se nuk ka pasur viktima ruse.
Por që nga fillimi i 1 marsit, ushtria ukrainase raportoi deri në 5 mijë e 710 viktima që nga dita e parë e pushtimit gjithëpërfshirës më 24 shkurt, e cila është e krahasueshme me humbjet ushtarake ruse në Luftën e Parë dyvjeçare çeçene.