KRYESORE

Mira Murati refuzon 1 mld $ nga Meta, Zuckerberg i hap luftë… por humb (Pse e duan shqiptaren)

Një ofertë që nuk mund ta refuzonte. Kështu mendoi Mark Zuckerberg kur u përpoq të blinte start up-in e Mira Muratit, Thinking Machines Lab. 1 miliard dollarë në llogarinë bankare.

Por ajo refuzoi. As kjo shumë parash nuk ia mbush mendjen që të largohet nga ky projekt i ri që ka nisur. Murati nuk ka shumë që ka lënë OpenAi, ku shpenzoi gjashtë vite të jetës së saj dhe u bë edhe Shefe e Teknologjisë në kompani.

E kësisoj, nuk mund ta dorëzonte aq shpejt start up-in e ri që sa po i jep jetë.

Por Marck Zuckerberg nuk e la me kaq. CEO-ja i Metës nisi një sulm ndaj saj. Në javët në vijim ai iu afrua rreth 50 punonjësve të Muratit për t’i tërhequr pas vetes. Por qëllimi kryesor ishte Andrew Tulloch, një kërkues kryesor dhe bashkëthemelues i start up-it.

Për t’ia mbushur mendjen, Zuckerberg i ofroi, bashkë me bonuset dhe performancën që do të kishte, të paktën 1.5 miliardë dollarë për gjashtë vite.

Por edhe Tulloch e refuzoi. As kolegët e tij dhe të Mira Muratit nuk ikën.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Metës, Andy Stone, e cilësoi përshkrimin e ofertës si “të pasaktë dhe qesharak” dhe tha se çdo paketë kompensimi varet nga rritja e vlerës së aksioneve. Ai shtoi gjithashtu se Meta nuk është e interesuar për të blerë Thinking Machines.

Mira Murati

Pse e duan Mirën

Wall Street Journal është ndalur gjatë te profili i shqiptares. Pas gjashtë vitesh në OpenAI ajo u largua në shtator. Aty kishte ndihmuar në lançimin e produktit të parë dhe ka drejtuar pothuajse çdo aspekt të kompanisë si Shefe e Teknologjisë.

Ajo njihej në OpenAI për inteligjencën emocionale dhe mungesën e egos, çka e bëri të fitonte besimin e kërkuesve dhe stafit të inxhinierëve. Edhe në Thinking Machines, ka bërë të njëjtën gjë. Edhe kërkuesit më të lartë janë listuar si anëtarë të stafit teknik, në një shenjë respekti për kulturën e barabartë dhe kolegjiale.

Kur nisi Thinking Machines në shkurt, Mira Muratin e ndoqën 20 kolegë nga OpenAI. Mes tyre edhe bashkëthemeluesi John Schulman, një prej mendjeve kryesore pas krijimit të ChatGPT, i cili ka punuar edhe për Anthropic. Shumë prej kërkuesve të Muratit kanë ardhur nga ekipet e trajnimit të OpenAI, një departament kërkimi që ndërtoi ChatGPT-në dhe që kishte detyrë mësimin e modeleve AI për të komunikuar me njerëzit.

Por ajo që po ndërton Murati tani mbetet një sekret i ruajtur edhe për investitorët e rinj. Ajo ka mbledhur 2 miliardë dollarë fonde për kompaninë. Mes investitorëve ka edhe gjigandë si Nvidia, AMD dhe Jane Street. 10 milionë dollarë i ka investuar edhe qeveria shqiptare përmes Korporatës së Investimeve Shqiptare.

Misioni i deklaruar i kompanisë është të bëjë “sistemet e inteligjencës artificiale më të kuptueshme, të personalizueshme dhe më të afta në përgjithësi”.

Së fundmi, Murati tha se kompania po “ndërton një inteligjencë artificiale multimodale që funksionon në përputhje me mënyrën natyrore se si ju ndërveproni me botën” dhe se do të prezantojë produktin e parë “brenda pak muajsh”.

Startup-i ka marrë me qira një zyrë në një nga zonat më të qeta të lagjes Mission në San Francisko, vetëm disa blloqe larg OpenAI.

Karikaturë e Mark Zuckerberg nga Financial Times për shkrimin:Si e nxori Mark Zuckerberg në pah anën e tij luftëtare

Pse lufton Mark Zuckerberg

Pak javë më parë, Meta emëroi Shengjia Zhao, një nga bashkëkrijuesit e ChatGPT-së si shkencëtarin kryesor të laboratorit të saj të ri për Superinteligjencën. Ky laborator ka si fokus zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe modeleve të linjës Llama.

Zuckerberg e si se është shumë mbrapa në këtë lojë dhe po bën përpjekjet maksimale për të kapur nivelet e kompanive të tjera. Cila është mënyra më e mirë? Marrja e shkencëtarëve kryesorë.

Ai ka kërkuar mbi 100 punonjës të OpenAI, por vetëm dhjetë i janë bashkuar. Por kur të ofrohen kaq shumë para pse nuk pranojnë?

Për shumicën e këtyre kërkuesve kjo nuk është thjesht një punë, është më shumë një thirrje.

Në OpenAI dhe kompani të tjera si Anthropic e drejtuar nga Dario Amodei apo tani edhe Thinking Machines e Mira Muratit, kultura e brendshme është jashtëzakonisht e ngushtë dhe e bashkuar.

Shumë nga punonjësit ndajnë një besim të përbashkët në “altruizmin efektiv”, një lëvizje sociale e fokusuar në të bërit mirë, si dhe një shqetësim të përbashkët se inteligjenca artificiale, nëse nuk trajtohet me kujdes, mund të shkaktojë pasoja katastrofike.

Madje disa prej tyre kanë jetuar edhe bashkë në shtëpi në San Francisko. Ata debatojnë edhe për çështjet etike dhe rreziqet afatgjata. Këta shkencëtarë nuk kanë qenë aty për të ardhurat monetare apo për statusin e tyre, por për të ardhmen.

Prandaj kjo është e vështirë për t’u blerë, pavarësisht ofertës së madhe edhe nga një gjigand si Meta.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • FOTO&VIDEO

Shfaqet në Gjirin e Orikumit një nga gjitarët më të rallë në botë

Një pamje gjithnjë e më e zakonshme në ujërat e Gjirit të Orikumit është shfaqja…

3 orë ago
  • BOTA

Vrasja e 18-vjeçarit Henry Nowak, Starmer akuza të forta për Elon Musk pas protestave: Ka nxitur përçarje

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…

13 orë ago
  • POLITIKE

Spaho: Vetëm një i leshtë mund të mendojë që kjo protestë nuk është e manipuluar, është komplot kundër vendit

Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…

17 orë ago
  • POLITIKE

“Serbia si Rusia, ata si vendet baltike”, “Jeta e Vuçiç në rrezik”, ai shkon në Mal të zi: Do them gjithçka

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor…

17 orë ago
  • KRYESORE

Katy Perry, emri i parë i madh në “Sunny Hillin” e sivjetmë

Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin…

20 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Vrau efektivin e “Shqiponjave”, autori me të shkuar kriminale, një vit më parë tërhoqi zvarrë me kalë një person

Një efektiv i Policisë së Shtetit u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një…

1 ditë ago