“Mjedis i pasigurt për hebrenjtë dhe bashkëpunim me Kinën” – Hakmarrja e Trump ndaj Harvardit

Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i ka ndaluar Universitetit të Harvardit të pranojë studentë të huaj.

Njoftimin së pari e ka bërë të ditur Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem. Universiteti elitar pranë Bostonit “e ka humbur privilegjin”, i shkroi universitetit të enjten Sekretarja e Sigurisë Kombëtare.

Ajo e justifikoi këtë masë, ndër të tjera, me “refuzimin” e Harvardit për të krijuar një mjedis të sigurt për studentët hebrenj dhe me politikat e universitetit për mundësi të barabarta. Harvardi u akuzua gjithashtu, pa prova, për bashkëpunim me Partinë Komuniste në Kinë.

“Udhëheqja e Harvardit ka krijuar një mjedis të pasigurt në kampus duke lejuar agjitatorët anti-amerikanë dhe pro-terroristë të ngacmojnë dhe sulmojnë fizikisht individë, përfshirë shumë studentë hebrenj, dhe të prishin atë që dikur ishte një mjedis i nderuar mësimor.

Kjo do të thotë që Harvardi nuk mund të regjistrojë më studentë të huaj dhe se studentët e huaj duhet të transferohen në një universitet tjetër ose do të humbasin rezidencën e tyre”, tha Noem.

Gazeta “New York Times” raportoi për herë të parë, duke cituar letrën nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare. Artikulli thotë se rreth 27 përqind e studentëve vijnë nga jashtë vendit, që është një total prej rreth 6 800 studentësh këtë vit. Për shumë universitete amerikane, të ardhurat nga studentët ndërkombëtarë përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit, sepse ata shpesh paguajnë tarifa shkollimi dukshëm më të larta sesa studentët vendas.

Në mesin e muajit prill Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Noem i bëri thirrje Harvardit të ofrojë informacion të detajuar mbi studentët e huaj deri në fund të prillit – duke përfshirë aktivitete të mundshme të paligjshme, pjesëmarrjen në protesta ose shkeljet e rregulloreve të vizave. Në një letër tjetër, Noem deklaroi se Harvardi nuk e kishte përmbushur këtë kërkesë – prandaj, certifikimi po tërhiqej. Ajo i dha universitetit 72 orë për të përmbushur kërkesat e saj.

Një zëdhënës i universitetit në Massachusetts i përshkroi veprimet e qeverisë si “të paligjshme”. U përshkrua si një “masë hakmarrëse” që shkaktoi “dëm serioz” për Harvardin dhe Shtetet e Bashkuara dhe minoi misionin akademik dhe kërkimin e shkollës. “Ne jemi të përkushtuar për të ruajtur aftësinë e Harvardit për të mirëpritur studentë dhe studiues ndërkombëtarë nga më shumë se 140 vende”, thekson stafi akademik i universiteti. Përplasja mes Harvardit dhe administratës Trump filloi pas protestave masive të studentëve kundër masakrës së Izraelit në Gaza.