Deputeti gjerman socialdemokrat, Frank Schwabe, e ka quajtur gabim të rëndë të Qeverisë gjermane dështimin e sotëm të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe lejimin e kësaj organizate që, siç thotë ai, të diktohet nga ish presidenti amerikan Donald Trump dhe këshilltari i tij Richard Grenell.
Schwabe, që ishte angazhuar të siguronte 2/3 e votave për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, përmes një postimi në platformën X, ka thënë se në takimin e javës së ardhshme të Komitetit të Përhershëm të KiE do të diskutohen hapat e mëtejshëm
“Dështimi i qeverisë [gjermane] për të pranuar sot Kosovën në Këshillin e Evropës pas miratimit mbi 80 për qind në Asamblenë Parlamentare është një gabim i rëndë. Kosova i përmbush obligimet e përcaktuara nga Asambleja Parlamentare”, ka shkruar Schwabe.
Më tej ai ka thënë se “Këshilli i Evropës nuk duhet të lejojë që të diktohet nga Donald Trump dhe Richard Grenell. Komiteti i Ministrave të qeverive i detyrohet Asamblesë Parlamentare një shpjegim dhe një propozim për një afat kohor dhe një rrugë përpara”.
“Ne do të diskutojmë hapat e mëtejshëm në Komitetin e Përhershëm në Vilnus [Lituani] javën e ardhshme. Faleminderit atyre që kanë ndërmarrë hapa të guximshëm dhe besojnë në fuqinë e Këshillit të Evropës. E ardhmja është me ata që janë të guximshëm”, ka shkruar deputeti gjerman Schwabe.
Gjermania, së bashku me shtetet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar që Kosova të bëjnë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit, në mënyrë që të arrihet mbështetja e shumicës së anëtarëve në Komitetin e Ministrave të KiE-së për pranimin e saj në këtë organizatë.
Ndaj, qëndrimit të Qeverisë gjermane, ka reaguar të enjten edhe eurodeputeti gjerman, Reinhard Bütikofer, i cili e ka quajtur këtë veprim si një gabim i keq.
“Më vjen shumë keq për qeverinë time gjermane, në të cilën Ministrja e Jashtme, Ana Baerbock, që është nga partia ime, mori këtë vendim strategjikisht të gabuar për të frustruar dëshirën e Kosovës për të ecur përpara me integrimin hap pas hapi në institucionet evropiane. Gabim i keq!”, ka shkruar eurodeputeti gjerman, në platformën “X”.
Ndryshe, gjatës së enjte në Bundestagun gjerman u diskutua mes tjerash edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, para deputetëve e bëri të qartë se Gjermania e mbështet fuqishëm Kosovën në këtë proces.