Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se sot ka biseduar në telefon me ambasadorin Richard Grenell. Ky i fundit thotë se Grenell e ka paralajmëruar për sanksionet rreth fondeve të MCC.
“Sot më ka kontaktuar Grenell në telefon, më ka paralajmëruar për sanksionet rreth fondeve të MCC”, është shprehur Mustafa.
Tutje ai tha se tarifa duhet hequr pa kushte sepse kështu po thotë aleati ynë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Tarifa nuk i bën më mirë Kosovës, tarifa duhet të hiqet sepse aleati ynë po thotë hiqe pa kushte dhe mos veproni menjëherë me reciprocitetin”, ka thënë Mustafa në RTV 21.
“E mbi këtë bazë ne duhet ta heqim tarifën, me të gjithë aleatët tanë duhet të konsultohemi se kur duhet ta presim Serbinë të reflektojë”, shtoi Mustafa.
Kujtojmë se burimet e Gazetës Express thonë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka shpërfillur sot një pjesë të rëndësishme të agjendës së tij ditore.
Numri një i qeverisë së Kosovës i është shmangur një telefonate nga udhëheqësi i Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), një agjenci qeveritare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që derdh miliona dollarë ndihma në Kosovë.
MCC ka planifikuar të investojë në Kosovë dhjetëra miliona dollarë, në projekte të ndryshme në vend.