Nagavci fajëson Komunat për mos-ekzekutim të pagave: S’i dërguan listat për paga në Thesar

Sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, mos-ekzekutimi i pagave të mësimdhënësve për muajin shtator, të cilët kanë qenë në grevë për 1 muaj, është si pasojë e mos-dërgimit të listave për paga në Departamentin e Thesarit në Ministrin e Financave nga ana e Komunave të cilët janë përgjegjës për organizimin e arsimit parauniversitar.

Ajo më tej ka bërë të ditur se deri më tani janë realizuar vetëm pagat e të gjithë atyre të cilët nuk kanë participuar në grevën e organizuar nga ana e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.

“Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, ka shkruar Nagavci në rrjetin e saj social në Facebook.

Nagavci duke u bazuar në dy nene të Ligjit për Greva ka arsyetuar mos-pagesën e mësimdhënësve.

Sipas saj kompensim do të ketë vetëm për punën e bërë.

“Ligji duhet të respektohet në tërësi, ne kemi premtuar për këtë dhe premtimet tona i mbajmë. Kemi marrë mandatin për të hartuar politikat e për t’i realizuar ato dhe s’do të ndalemi. Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”.

“Rezultatet në arsim do t’i përmirësojmë. Bashkëpunimi e dialogu social do të vazhdojë, me parime e korrektësi, në interesin më të mirë të fëmijëve”.

Ndryshe një ditë më parë Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se grevistët nuk duhet të paguhen për ditët në të cilat kanë qenë në grevë.

Sipas saj një gjë të tillë e parasheh Ligji për Grevën.

Qeveria po bazohet në dy nene të Ligjit për Greva për ta arsyetuar mos pagesën e mësimdhënësve.

I pari është neni 18 ku flitet për “efektet e grevës së ligjshme” dhe në pikën 1 të këtij ligji thuhet se “gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës”, derisa është edhe neni 7, pika 1, ku është përmirësuar neni bazik 18 i ligjit, the ku togfjalëshit “Kontrata e Punës” i shtohet fjalia “duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”.

Juristët e kanë interpretuar në forma të ndryshme këtë ligj. Disa thonë se ka bazë ligjore për të ndaluar pagat e të tjerë deklarojnë se këto dy nene nuk thonë që të ndalet paga dhe mos pagesa është e kundërligjshme.

Në një pjesë të opinionit publik, ndalja e pagave është interpretuar si tendencë e qeverisë për të frikësuar të pakënaqurit dhe shuar revoltat eventuale nga kjo pakënaqësi.