Zyrtarja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka reaguar pas arrestimit të aktivistëve të kësaj partie, pas aksionit gjatë fjalimit të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, raporton Express
Kuçi ka shkruar në Facebook se aksioni i sotëm i aktivistëve të PSD-së ishte për të penguar rilegjitimimin e Gjykatës Speciale në misionin e saj për të tjetërsuar luftën çlirimtare të UÇK-së.
“Sot, përgjatë raportimit të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, aktivistë të PSD-së, Lisjan Perolli dhe Bardh Ahmeti, zhvilluan aksion simbolik për të penguar rilegjitimimin e Gjykatës Speciale në misionin e saj për të tjetërsuar luftën çlirimtare të UÇK-së. Përgjatë aksionit simbolik jashtë konferencës për media, Policia e Kosovës përdori dhunë jashtëzakonisht të madhe ndaj aktivistëve duke i lënduar dhe i arrestuar ata”, ka shkruar Kuçi.
Kuçi ka shkruar se PSD kërkon lirimin e kryetarit të partisë, Dardan Molliqaj, si dhe anëtarëve tjerë Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti dhe Agron Kabashi, të cilët u arrestuan sot nga policia.
“Gjykata Speciale është e padrejtë, prandaj ajo nuk mund të sjellë drejtësi. Si e tillë, nuk mund të lejojmë assesi që të rilegjimitohet në qetësi teksa tjetërson historinë tonë. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti dhe Agron Kabashi të cilët u arrestuan gjatë aktivitetit sot”, ka shkruar Kuçi.
Ndryshe, aktivistë të PSD-së kanë dalur në një protestë të paparalajmëruar në kohën kur po pritej konferenca e kryetares së Gjykatës Speciale, Trendafilova.
Policia e Kosovës i ka arrestuar kreun e PSD-së, Dardan Molliqajn dhe disa aktivistë tjerë të partisë.
Ngjarja ka ndodhur para Hotel Sirius në Prishtinë, aty ku veçse po fillonte konferenca e paralajmëruar në orën 10:00.