Një konglomerat e partive me elemente ultra të djathta, siç janë ato Dveri, Zavetnici, Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë, Partia e Re Demokratike, dhe mbështetësit e tyre më 24 mars kanë bllokuar trafikun për një orë para ndërtesës së Qeverisë së Serbisë në qendër të Beogradit, duke kërkuar refuzimin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve me Kosovën.
Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu edhe dorëheqjen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pasi sipas tyre ai me pranimin e Marrëveshjes ka kryer tradhti.
Të njëjtit mbanin pankartat me mbishkrime “Jo kapitullimit” dhe “Dorëheqje Vuçiçit”, dhe disa kishin veshur edhe bluza me shkronjën “Z”, simbol i agresionit rus kundër Ukrainës.
“Nëse nuk ka revokim të pranimit të ultimatumit të ri perëndimor, atëherë zgjidhja e vetme është dorëheqja e Presidentit dhe e Qeverisë së Serbisë”, ka thënë deputetit Boshko Obradoviç në një fjalim gjatë protestës 1 orësh.
Ai ka paralajmëruar edhe paraqitjen e kallëzimit penal kundër presidentit të Serbisë për, siç ka thënë, “veprën penale të njohjes së okupimit dhe rrëzimit të rendit kushtetues”.
Sipas organizatorëve të protestës kanë deklaruar se 24 marsi si ditë e protestës nuk është zgjedhur rastësisht, kjo pasi që ajo koincidon me fillimin e bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi.
Njëri nga organizatorët dhe deputeti serb, Vojisllav Mihailoviç, ka thënë se sot Serbia nuk kërcënohet nga bombat e NATO-s, por nga një marrëveshje e rrezikshme.
“Sot nuk kemi bomba, por kemi vazhdimin e së njëjtës politikë”.
Në anën tjetër deputeti serb, Millosh Jovanoviç, tha se i vetmi përgjegjës për këtë protestë është presidenti Vuçiç, i cili sipas tij është burimi i destabilitetit.
“Vuçiç duhet të largohet nga pushteti, sepse duke pranuar planin evropian ka shkelur mbi të gjitha viktimat e bombardimeve dhe luftërave”, ka shtuar ai.
Katër parti opozitare të krahut të djathtë organizuan gjithashtu një protestë më 17 mars, një ditë para takimit mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç’it në Ohër, të Maqedonisë së Veriut, ku palët pas parimeve u pajtuan edhe për planin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e raporteve.