Qeveria shqiptare ka nënshkruar sot marrëveshjen për zhvillimin e projektit “Durrës Yacht & Marina”, ku shteti shqiptar është bashkaksioner me 33%.
Biznesmeni Muhamed Alabbar, në fjalën e mbajtur në ceremoninë e firmosjes, theksoi se “disa gjëra që po bëjmë këtu (në Shqipëri), janë më të përparuara edhe se në Dubai”.
“Falënderoj ekipin e shkëlqyer që ka punuar kaq fort për të ardhur në pikën që jemi sot. Jemi me shumë fat që jemi këtu ku jemi sot, është vetëm fillimi kjo që kemi arritur. Kemi punuar fort. Kam 30 vite në biznes dhe kurrë nuk kam kaluar një proces të tillë transparence. Ka pasur momente që jam ankuar për kompleksitetin e kësaj gjëje, por kam mësuar nga kjo. Jam i lumtur që jam pjesë e këtij vendi. Ju premtoj që disa nga gjërat që po bëjmë këtu, nuk janë bërë askund në botë. Është një nga projektet më të përparuara në botë. Projektimi, masterplani, efikasiteti i ndërtimit… Disa gjëra që po bëjmë këtu, janë më të përparuara edhe se në Dubai”, deklaroi Alabbar.