Në zgjedhjet e fundit fitojnë putinistët, por humbet Putini

Në zemër të një Evrope në luftë, të dielën e fundit u zhvillua një votim në dy vende që janë vetëm pak kilometra larg frontit të luftës.

Si në Hungari ashtu edhe në Serbi, dy liderë populistë, të vetmit putinistë, janë konfirmuar gjerësisht nga votuesit.

Në klimën e izolimit të përgjithshëm politik në të cilin Federata Ruse është gjendur që nga dita e pushtimit të Ukrainës, këto rezultate në pamje të parë do të dukeshin si një fitore për Vladimir Putin-in, një fitore për të në frontin e kundërshtarit.

Por le të themi se, pavarësisht pamjes, nuk është kështu.

I sapo rizgjedhur, Viktor Orban tha se ai kurrë nuk kishte pasur kaq shumë armiq sa tani dhe renditi me radhë “burokratët e Brukselit”, perandorinë e pashmangshme të Soros-it, mediat ndërkombëtare dhe presidentin ukrainas, Volodomir Zelensky.

Qeveria hungareze, në fakt, është e vetmja në të gjithë Bashkimin Evropian që ka refuzuar të bëhet pjesë e sanksioneve kundër Rusisë dhe ka kundërshtuar dërgimin e armëve për rezistencën ukrainase.

Por, siç sapo u tha, ai është i vetmi! Ndaj Orban, ashtu si Putin, tani ndodhet në një situatë izolimi politik.

Ai gjithashtu theu aleancën me aleatët e Grupit të Visegradit, një koalicion shtetesh të bashkuar nga populizmi, euroskepticizmi dhe teoria e “demokracisë joliberale”, në kundërshtim me liberalizmin perëndimor, e teorizuar gjithashtu nga Vladimir Putin.

 

Udhëheqësit e Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë nuk janë vetëm në ballë të frontit të pritjes së refugjatëve ukrainas, por janë gjithashtu ndër mbështetësit më të vendosur të NATO-s dhe mbështetësit më të vendosur të rezistencës së udhëhequr nga Zelensky.

Aq sa ata ishin të vetmit liderë evropianë që sfiduan bombat ruse për të treguar solidaritetin e tyre me presidentin ukrainas duke shkuar për ta takuar atë në Kiev.

Prandaj, nëse Orban tani është si të ishte një i infiltruar në Bashkimin Evropian dhe nuk është e sigurt nëse do të jetë sërish në gjendje të bëjë një hap prapa në momentin e fundit për të shmangur përjashtimin, humbësi i vërtetë i kësaj kthese politike është Vladimir Putin.

Në fakt, lideri rus kishte gjetur në grupin e Visegradit bërthamën më kompakte të “internacionales joliberale”, që ai vetë po krijonte duke financuar lëvizjet populiste dhe partitë e ekstremit të djathtë nga Le Pen në Francë, te “Afd” në Gjermani, deri te “Lega”, “Fratelli d’Italia” dhe “Lëvizja 5 Yje” në Itali.

Një sulm në zemrën e demokracisë evropiane, i sjellë brenda vendeve perëndimore dhe i mbështetur deri vonë edhe nga presidenti amerikan Donald Trump përmes ideologut të tij Steve Bannon, i cili, përpara se të hetohej në Shtetet e Bashkuara, ishte gati të shpërngulej në Evropë, pikërisht për zgjerimin e kësaj “internacionaleje”.

Dhe tani Orban është i izoluar në një Evropë kompakte me NATO-n dhe SHBA-të dhe në mbështetje të vendosur e të fuqishme ndaj Ukrainës, kundër pushtimit të Federatës Ruse.

Çfarë rruge do të marrë Hungaria, një vend me një ekonomi jo të fuqishme që në thelb jeton me fondet që vijnë nga Brukseli që urren? A do të zgjedhë të kthehet në të kaluarën sovjetike? Dhe, në atë rast, a do të jenë vërtet të gatshëm hungarezët për të ndjekur atë rrugë?

Ndërkohë, Putin-i sheh të zbehet strategjia e tij populiste, e cila supozohej se do të çonte në shpërbërje Perëndimin për mungesë aleatësh dhe solidariteti brenda vetes.

Situata në lidhje me zgjedhjet në Serbi është e ndryshme.

Presidenti Aleksandër Vuçiç, pasi fitoi gjerësisht zgjedhjet presidenciale dhe administrative, konfirmoi politikën e zakonshme të paqartësisë dhe ambiguitetit, që është mësuar të ndjekë në skenën ndërkombëtare: “Besoj se do të na duhet të përballemi me shumë sfida, por më e rëndësishmja për Serbinë është të ketë marrëdhënie të mira në rajonin dhe të vazhdojë rrugën e saj evropiane. Pa i prishur njëkohësisht lidhjet me miqtë e saj tradicionalë. Ne do të vazhdojmë me neutralitetin ushtarak”.

 

Është mësuar siç themi ne me politikën “qengji i mirë pi dy nëna”. Dhe deri më sot, i ka ecur!

Miku tradicional i serbëve është Rusia. Të dy vendet janë të lidhura thellësisht nga gjuha, feja, historia, ekonomia dhe marrëveshjet ushtarake dhe të sigurisë.

Por mbi të gjitha janë të lidhura nga ajo ideologji pansllaviste që siç e dinë mirë kosovarët, boshnjakët, kroatët dhe malazezët, është agresive, imperialiste dhe e bazuar në homogjenitetin etnik.

Nuk është rastësi që qeveria e Beogradit refuzoi të merrte pjesë në paketën e sanksioneve perëndimore kundër Moskës dhe Serbia ishte i vetmi vend ku, në fillim të pushtimit rus, u panë demonstrata masive në favor të Putin-it dhe Moskës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Përfaqësuesi i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin se tensionet ruse mund të përhapen në Ballkanin Perëndimor.

Dhe këto alarme erdhën pikërisht nga prania në Ballkan e politikës së Serbisë dhe nga pretendimet e saj ndaj Kosovës, që nuk janë shuar kurrë që nga fundi i luftës në Jugosllavi.

Brukseli, bazuar në alarmin e dhënë, dërgoi menjëherë disa qindra ushtarë në Bosnjë për të forcuar misionin evropian dhe për të mbajtur nën kontroll Republikën Srpska, ku Dodik kërcënon çdo ditë me veprime separatiste.

Qeveria e Prishtinës ka kërkuar hyrjen në NATO-s, e cila sapo ka hapur një bazë ushtarake në Shqipëri.

Ajo që është realisht shqetësuese për BE-në në rajon është Serbia me politikat e saj, të cilat Evropa ndoshta për herë të parë nga fundi i luftës në Ballkan po i sheh me kujdes dhe po ashtu luftanijet ruse që janë vendosur prej disa muajsh në Mesdhe.

Në Ballkan, situata socio-ekonomike e shumë prej vendeve nuk është aspak e qëndrueshme dhe shumë çështje kufitare të bashkëjetesës etnike janë ende të hapura që nga përfundimi i konfliktit në ish-Jugosllavi.

Dhe pikërisht këtu Putin-i, në vështirësi në frontin ukrainas, mund t’i përdorte serbët për të vënë zjarrin konflikteve që nuk janë shuar kurrë me dekada.

Për këtë arsye pa diskutim prioritetin e ka fronti i luftës në Ukrainë.

Por vëmendje të veçantë në të ardhmen shumë të shpejtë do të kenë politikat evropiane me Serbinë dhe hapja e dyerve realisht ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Forcimi i frontit lindor është sot prioriteti politik dhe ushtarak për një Evropë në rrezik që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.