Nëpunës shteti, bashkëfamiljarë, gra…kush janë të arrestuarit e operacionit në Lazaratin nr. 2

Nëpunës shteti, bashkëfamiljarë, mes tyre dhe gra, janë të arrestuarit e një ditë më parë në një operacion gjigand anti-kanabis që u ndërmorr në Fushë Krujë, një vend që konsiderohet si Lazarat nr. 2, por ende i pabërë zap nga shteti, ndryshe nga fshati namëmadh në Gjirokastër.

Siç raporton Report TV, gjatë kontrolleve u sekuestruan 20 mijë rrënjë kanabis sativa, një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llampa, kubikë dhe fidanë canabis, 5 automjete dhe prova të tjera materiale.

Në pranga të policisë kanë përfunduar jo vetëm persona që dyshohet se kanë kultivuar lëndë narkotike, por edhe një punonjës i OSHEE-së dhe kryeplaku i fshatit Halil, Flamur Halili, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Janë vënë në pranga për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” në bashkëpunim, shtetasit Xhavit Kullaj dhe Dashamir Kullaj, banues në Halil. Gjithashtu u arrestuan në flagrancë shtetasit Asllan Deliu, 27 vjeç, banues në Nikël; Marsel Loci, 20 vjeç, banues në Larushkë; Eldi Kacelli, 18 vjeç, banues në Qerekë; Indrit Kullaj, 33 vjeç, banues në Arrameras; Dashamire Deliu, 49 vjeçe, banuese në Nikël; Musait Vathi, 16 vjeç, banues në Halil; Ferit Kullaj, 34 vjeç, banues në Halil; Erlind Almeta, 30 vjeç, banues në Halil; Fetije Kullaj, 56 vjeçe, banuese në Halil; Refik Deliu, 53 vjeç, banues në Halil; Erjon Deliu, 26 vjeç, banues në Halil. Në pranga janë vënë edhe Kryeplaku i fshatit Halil, shtetasi Flamur Halili, 61 vjeç. Si dhe dy punonjës të OSHEE, shtetasit Ervin Perlica, 32 vjeç, dhe Sokol Kullaj, 32 vjeç, banues në Halil për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.