Ende nuk ka një konfirmim për njoftimin që e dha në orët e para të mëngjesit, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili përmes një postimi në Facebook, tha se tre anëtarët e familjes Pacolli që ranë në lumin Lepenc afër fshatit Orman të Shkupit pasditen e djeshme pas një aksidenti me veturën e tyre kanë humbur jetën.
Nga autoritetet në Maqedoni të Veriut akoma s’ka një njoftim zyrtar, ndërsa mediat atje po raportojnë se kërkimet për t’i gjetur tre kosovarët po vazhdojnë.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar Pacollin për të marrë më një deklaratë se si është informuar për rastin, por i njëjti nuk është përgjigjur.
“E përjetoi me dhimbje tragjedinë e familjes Pacolli, këtë mbrëmje në Maqedoni ku Naim, Merita dhe Ermal Pacolli, humben jetë. Zoti i mëshiroftë të ndjeret e Shkëlqimit i uroi shërim të shpejtë. Lutem për këtë familje!”, ka shkruar Behgjet Pacolli.
Klan Maqedonia po raporton se aksioni për gjetjen e tre anëtarëve të familjes Pacolli po vazhdon, teksa tashmë atje kanë shkuar edhe ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ndërkohë Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka njoftuar se janë nisur drejt Maqedonisë Veriore për kërkimin e tre kosovarëve.
Ndryshe, njoftimi i fundit zyrtar i Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut është lëshuar dje, është njoftuar se njëri prej personave që ndodhej në veturën me targa kosovare ka shpëtuar, ndërsa të tjerët po kërkohen.
“Rreth orës 15:00 është raportuar se në aksin rrugor Shkup-GP ‘Bllacë’ ka ndodhur një aksident trafiku ku është përfshirë një veturë Volkswagen me targa të Shkupit, e drejtuar nga B.B. nga Shkupi dhe një veturë BMW me targa të Kosovës, e drejtuar nga H.P. nga Kosova, e cila pas aksidentit ra në lumin Lepenec. Në BMW përveç shoferit ndodheshin edhe tre pasagjerë. Një person është nxjerrë nga lumi dhe është transferuar në spitalin “8 Shtatori”, ndërsa për tre të tjerët janë në vazhdim e sipër”, thuhej në njoftimin e MPB-së.
Gazeta Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.