Ish-Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Wesley Clark i cili po qëndron për vizitë në Kosovë është pritur me nderime të larta ushtarake nga ministri i Mbrojtës së Kosovës, Armend Mehaj.
Pas takimit që zhvilluan, ish-komandanti i NATO-s gjatë bombardimeve kundër caqeve serbe më 1999, Gjenerali Wesley Clark u shpreh i lumtur që ndodhet për vizitë në Kosovë. Ai tha se është i impresionuar për progresin e Kosovës drejt demokracisë dhe lirisë.
Clark ka uruar qytetarët e Kosovës për qeverinë e re.
Clark: Jam impresionuar për progresin e Kosovës
“Jam i nderuar që jam këtu, jam i lumtur që kthehem në Kosovë. Ky është rasti i parë që kam pasur për të vizituar ministrinë. Jam impresionuar shumë gjatë viteve, pasi kam parë progresin e Kosovës. Është një marshim shumë mbresëlënës, drejt demokracisë dhe lirisë, dhe shpresoj që të rritet prosperiteti ekonomik për popullin e Kosovës. Njerëzit e Kosovës japin një shembull të fortë për pjesën tjetër të botës se çfarë mund të thotë dhe të bëjë për një komb, vendosmëria për të jetuar, punuar, dhe për të shërbyer në një demokraci, kështu që unë jam shumë krenar që jam përsëri këtu. Ndihem shumë i nderuar që jam i mirëpritur dhe po pres me padurim të takohem me qeverinë, duke e përgëzuar këtë qeveri të re dhe ministrin për përgjegjësitë e tyre të reja, dhe çfarë do të thotë kjo për njerëzit”, u shpreh Clark.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se gjenerali historik Wesley Clark ka rolin kyç në çlirimin dhe lirinë e Kosovës.
Në shenj mirënjohje Mehaj tha se Qendrën e Studimeve Universitare të FKS-së e ka emërtuar “Wesley Clark”.
Ministri i Mbrojtjes deklaroi se gjeneralin Clark e ka njoftuar për të arriturat e Kosovës dhe FSK-së.