Gjatë ditës së sotme ka qarkulluar një lajm se, lideri i LVV-së, Albin Kurti dhe zyrtari tjetër i lartë i asaj partie, Glauk Konjufca, kanë mosmarrëveshje dhe bashkëpunimi i tyre sa vjen e zbehet.
Por ndryshe thonë njerëz të afërt me Kurtin dhe Konjufcën.
Driton Tali, ish kandidat për deputet i VV-së dhe tash këshilltar i kryeministrit në detyrë, për gazetën “Bota sot” ka demantuar plotësisht atë lajm, duke thënë se është dezinformatë e porositur nga qarqe të caktuara.
“Jo nuk është aspak i vërtetë ky lajm. Kjo është një dezinformatë dhe shpifje nga qarqe të caktuara që janë dhe po luftojnë me një fushatë të egër kundër LVV-së dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Mendoj se sondazhet e fundit nuk po i lënë rehat kundërshtarët e VV-së”, tha Tali.
Ai tutje tregon se para dy dite kishte një takim të Kurtit me Konjufcën për çështje të punës, ku gjithçka ka shkuar si çdoherë dhe humori ishte në nivel të mirë. Tali thotë se Albin Kurti dhe Glauk Konjufca janë më të bashkuar se kurrë më parë.
“Albin Kurti dhe Glauk Konjufca kanë takime pothuajse çdo ditë. Madje në një takim me ta isha edhe unë para dy ditësh, ku gjithçka ka shkuar mirë madje kishte edhe humor të mirë si gjithmonë mes Albinit dhe Glaukut. Askush nuk ka pse të shqetësohet, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca janë më të bashkuar se kurrë më parë”, theksoi këshilltari i kryeministrit Kurti, Driton Tali.