Ka nisur seanca fillestare ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, një vit më herët. Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq janë paraqitur të mërkurën para trupit gjykues.
Gjykatësi Arben Hoti ka thënë se ka kushte për shqyrtimin fillestar ndaj të pandehurve që gjenden në masën e paraburgimit. Për gjykimin në mungesë të 42 personave të akuzuar pritet të kërkohet vendim nga instanca më të larta.
Paraprakisht, prokurori special, Naim Abazi, ka thënë se pjesa tjetër e grupit terrorist nuk ka mundur të kapet për t’u sjellë në gjykatë. Ai ka thënë se pavarësisht kësaj, mund të bëhet gjykimi në mungesë.
Lubomir Pantoviq, avokat i të arrestuarit Spasojeviq, ka kundërshtuar propozimin e prokurorit Abazi për gjykim në mungesë të 42 personave.
E avokati i palës së dëmtuar, Arianit Koci, ka thënë se s’ka faktorë që gjykata të vendosë të mos mbahet gjykimi në mungesë. “Siç po e shihni ky gjykim po mbahet në mungesë të 42 personave. Është specifik sepse ka vdekur polici Afrim Bunjaku dhe janë dëmtuar palët dhe të njëjtën kohë ka mundur të rrezikohet rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Gjykata duhet të vendos a të mbahet a jo, sidoqoftë duhet të merrni mendim edhe nga Gjykata Supreme”, ka thënë ai.
Avokatët e të akuzuarve kanë bërë kërkesë ndaj Prokurorisë që ta dorëzojë në formë fizike shkresën e lëndës.