Sot rreth orës 02:48 në rrugën Pejë- Deçan më konkretisht në fshatin Isniq, ka ndodhur një aksident rrugor me ç’rast një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Në ketë aksident ka vdekur shtetasi F. H. rreth 23 vjeçar ndërsa lëndime të rënda ka pësuar Sh. K. lindur vitin 1993, 26 vjeçar.
Policia pas hetimeve thotë se shkak i vdekjes së 23-vjeçarit, ka qenë shpejtësia e madhe gjatë vozitjes.
Në një raport të sotëm për media, Drejtoria Rajonale e Policisë Pejë, përkatësisht Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor, me njësi tjera policore, thotë se menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku më Prokurorin e shtetit, Ekipin mjekësor dhe Njësitin e zjarrfikësve, për të ndërmarr masat e nevojshme në këtë aksident fatal.
“Sipas të dhënave nga hetuesit nga vendi i ngjarjes, në këtë aksident ishte përfshirë një automjet me targa regjistrimi të jashtëm. Ngasësi i automjetit kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes sipas konstatimit mjekësor, ndërsa pasagjeri kishte pësuar lëndime të rënda trupore, me ç’rast është dashur të intervenojë edhe njësiti i zjarrfikësve”, thuhet në raportin e PK-së.
Personi i lënduar, është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal Pejë dhe për shkak të lëndimeve të rënda më pastaj është dërguar për QKUK Prishtinë, sepse gjendja e tij ishte serioze.
“Deri të aksidenti ka ardhur përderisa drejtuesi i automjetit kishte qenë duke qarkulluar nga drejtimi i Deçanit në drejtim të Pejës, më të arritur në fshatin Isniq në vendin e quajtur ‘te ura e Demës’, për shkak të shpejtësisë shumë të madhe kishte humbur kontrollin mbi timon, ka dalë jashtë rruge në të djathtë dhe është përplasur me një shtëpi”, thuhet në raport.
Policia thotë se trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me urdhër të prokurorit shtetit.