Është identifikuar autori i vrasjes brutale me thikë të një 27-vjeçareje italiane në Trevizo. Viktima ishte nënë e një djali 4 vjeç dhe për momentin ishte shtatzënë prej 2-3 muajsh. Ajo u qëllua 7 herë me thikë teksa kthehej nga puna në shtëpi. Mediat italiane shkruajnë se autori është një 40-vjeçar nga Kosova i identifikuar si Bujar Fandaj.
Ai ishte një klient i supermarketit ku punonte viktima. Duket se Vanessa Ballan e njihte dhe e kishte denoncuar për përndjekje në tetor. Policia i kishte konfiskuar edhe telefonin autorit për të vërtetuar kërcënimet. Pas vrasjes, shqiptari u arratis me një furgon në pronësi të kompanisë ku punon dhe është ende në arrati.
Gruaja u sulmua në hyrje të shtëpisë së saj. Nga plagët në duar duket se ajo u përpoq me dëshpërim të mbrohej nga sulmuesi i saj. Vrasësi, ka hyrë fillimisht në shtëpi duke shtyrë me forcë një dritare. Partneri i gruas, Nicola Scapinello, lajmëroi shërbimet e urgjencës pasi e gjeti atë të gjakosur dhe u përpoq ta sillte në jetë.
Në momentin e vrasjes ai kishte qenë jashtë shtëpisë. Ata ishin së bashku prej 11 vjetësh dhe kishin pak kohë që ishin transferuar aty. “Një grua e re dhe e qetë” – e përshkruajnë miqtë dhe kolegët që e njihnin atë dhe burrin e saj. “Nuk mund ta kuptoj se çfarë ndodhi. Vanessa, por edhe bashkëshorti i saj, janë persona të mirë. Kur dëgjova lajmin mendova se ishte një hajdut apo një grabitje” – thotë Ines Pagnon, mik i viktimës.