“Njerëz me pozita të larta në Rusi janë duke promovuar aktivisht idenë e luftës dhe konflikti me Ukrainën, është më se i mundur tashmë”.
Kështu mendon një prej fituesve të çmimit Nobel për paqen, Dmitry Muratov, i cili paralajmëroi botën të hapë sytë mbi situatën në rajonin e Donbass-it.
Në marrjen e nderimit të lartë nga akademia Nobel, Muratov bëri me dije se në Rusi, është e zakonshme të mendohet se politikanët, të cilët evitojnë konfliktin, janë të dobët. Ndërsa ata që shpalosin kërcënime, “kryejnë detyrën e një patrioti të vërtetë”.
Muratov, është kryeredaktori i gazetës ruse “Novaya Gazeta”. Kjo është një prej gazetave opozitare në shtetin siberian.
Një shqetësim të ngjashëm me nobelistin, e ndan edhe Departamenti amerikan i Shtetit. Një mësymje e mundshme ruse drejt Ukrainës, është e mundshme sipas diplomacisë amerikane. Ndaj, edhe janë paralajmëruar sanksione të forta në një rast të tillë.
Çmimin e marrë, Muratov ia kushtoi kolegëve të tij gazetarë, e mbi të gjitha, atyre hetues. Shumë prej homologëve të tij, përfshi disa të gazetës Novaya, janë vrarë për shkak të punës.
Bashkëndarësja e Nobelit për paqen e këtij viti, Maria Ressa, është po ashtu gazetare.
Në fakt, është aq e pazakontë që gazetarët të fitojnë Nobelin, saqë i fundit që daton, është gjermani Carl von Ossietzky, në vitin e largët 1935. Por, ky i fundit, nuk mundi ta shijojë çmimin, pasi u mbajt peng në një kamp përqendrimi e më pas vdiq po aty.
Gjithsesi, 2021-shi u lobua nga vetë akademia si një vit i kushtuar gazetarëve hetues. Gazetarë, të cilët në masë, po paralajmërojnë botën për rreziqe të mundshme mbi të ardhmen.
Po ashtu si rreziku shumë i mundshëm, i shpërthimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, sipas Muratov.