Dhënia e Çmimit Nobel për shkrimtarin austriak Peter Handke ka sjellë reagimin e shumë institucioneve dhe politikanëve në Shqipëri, Kosovë, por edhe vende të tjera të rajonit, për shkak të deklaratave të tij në mbrojtje të liderit jugosllav Sllobodan Millosheviç.
Nuk është hera e parë që Handke vihet në qendër të kritikave për deklaratat politike që nuk kanë të bëjnë fare me profesionin e shkrimtarit. Edhe 20 vite më parë, në kulmin e Luftës së Kosovës, flitej për Handke-n. Ai është përmendur edhe nga shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, në librin e tij “Ra ky mort e u pamë”. Kadare përpiqet të përshkruajë dhe të shpjegojë arsyet e qëndrimit të Handke-s, me të cilin edhe është takuar personalisht në Paris.
“Televizioni austriak më kërkon një mendim për qëndrimin e Peter Handkes. Në Austri dhe në Gjermani ka fushatë të ashpër kundër tij. Ai qëndrim, ç’është e vërteta, më shumë se zemërim, më ka shkaktuar brengë. Siç ndodh me njerëzit që i njeh. Siç ndodh me sjelljet që ndryjnë brenda një mister.Prej vitesh, duke qenë këshilltar pranë shtëpisë botuese austriake “Residennz Verlag”, është ai që ka propozuar librat e mi për përkthim.E kam njohur para ca vitesh në Paris. Ambasadorja e Austrisë në Francë na ftoi për darkë të dyve, bashkë me gratë. Gruaja e tij franceze është e admirueshme. Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë. Një shkrimtar kroat përpiqet ta shpjegojë me zanafillë frojdiste. Nuk më besohet. Ndërkaq, nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi: “Nuk jam më i njohur si më parë”. A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo. Ismail Kadare, prill 1999” -Pjesë nga libri i Ismail Kadare “Ra ky mort e u pamë”
“Ra ky mort e u pamë” është një libër nga Ismail Kadare i shkruar në formën e ditarit, i botuar në vitin 2000. Libri i është kushtuar Kosovës dhe luftës atje gjatë fundit të viteve 1990
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, të premten është shoqëruar në Policinë e Kosovës,…
Një pamje gjithnjë e më e zakonshme në ujërat e Gjirit të Orikumit është shfaqja…
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…
Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor…
Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin…