Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me ndikimin që masat e Qeverisë mund të kenë në ekonominë e vendit në përgjithësi, si dhe sektorin privat në veçanti, e veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, qoftë për shkak të kufizimeve, por edhe për shkak të paqartësive që ekzistojnë në mesin e publikut, të cilat mes tjerash shkaktojnë edhe panik dhe veprime të pakontrolluara.
Në këtë aspekt, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës kërkojnë nga Qeveria e vendit që të dalë me sqarime të detajuara përkitazi me vendimet, por edhe me masa të tjera shtesë në mbrojtje të ndërmarrjeve që operojnë në Kosovë.
Sipas tyre, këto masa mund të përfshijnë udhëheqjen nga Qeveria të një fushate të informimit të gjerë dhe të vazhdueshëm publik me qëllim të shmangies së panikut dhe veprimeve të pakontrolluara nga ana e publikut.
“Qeveria duhet të shpjegojë për publikun e gjerë vendimin e datës 13.03.2020 lidhur me punën në sektorin privat, meqë një numër ndërmarrjesh e posaçërisht ato prodhuese po raportojnë për refuzim të punonjësve të dalin në punë, duke u thirrur në vendimin e Qeverisë. Për më tepër, Qeveria duhet të përjashtojë nga ndalesa e hyrjes së shtetasve të huaj drejtuesit e mjeteve transportuese të mallrave, meqë ndalimi i hyrjes së mjeteve të tilla mund të shkaktojë vështirësi në zinxhirët e furnizimeve me mallra, përfshirë këtu edhe lëndët e para, e me këtë edhe të pengojë operacionet e industrisë prodhuese. Po ashtu, Qeveria duhet të diskutojë me përfaqësuesit e sektorit privat lidhur me një pako masash që mund të ndërmerren me qëllim të subvencionimit të ndërmarrjeve, të cilat në rast të zgjatjes së gjendjes aktuale, mund të përballen me vështirësi në operacionet e tyre për shkak të kufizimit të punës, dhe rënie të aktivitetit ekonomik”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, këto masa mund të përfshijnë shtyrjen e afatit për deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore, e me këtë edhe shfuqizimin e kalkulimit të interesit, shqiptimit të ndëshkimeve dhe bllokimit të llogarive.
“Gjithashtu, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës duhet të vendosë për pezullimin e detyrimeve për pagesë të obligimeve kreditore të bizneseve dhe qytetarëve, si dhe riprogramimin e tyre, krahas ofrimit të mbrojtjes së nevojshme për institucionet financiare bankare dhe jobankare. Tutje, duhet të shtyhet afati për raportime financiare për bizneset dhe organizatat joqeveritare, gjersa duhet të bëhet edhe subvencionimi i pagave për punonjësit (në nivel të pagës minimale). Në rast të kapaciteteve të kufizuara dhe të mangëta për subvencionime monetare, duhet të sigurohen mjete financiare nga organizatat ndërkombëtare financiare të cilat ofrojnë asistencë financiare për të gjitha vendet e prekura nga COVID-19 për përballim të pasojave”, thuhet në njoftim.
Me qëllim të garantimit të furnizimeve të mjaftueshme me artikuj esencialë, sipas tyre, Qeveria duhet të vendosë për aktivizimin e rezervave shtetërore sipas vlerësimit të nevojave të furnizimit për qytetarë, të heq akcizën për lëndët djegëse me qëllim të garantimit të rezervave të mjaftueshme në nivel të shtetit, si dhe të subvencionojë veprimtaritë prodhuese të artikujve esencialë, si produktet ushqimore dhe ato farmaceutike.
“Në çfarëdo situate, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës kërkojnë nga Qeveria e vendit që të udhëheq një proces të dialogut të ngushtë me odat ekonomike, shoqërinë civile, dhe ekspertët individualë me qëllim të ndërmarrjes së vendimeve të mirinformuara dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet tutje në njoftim.