OFL i dërgoi formularin, kush është Enver Bajri, “truri” i grupit të rrezikshëm në Shkodër

Enver Bajri të cilit Operacioni Forca e Ligjit i ka dërguar formularit e deklarimit të pasurisë është konsideruar si truri i grupit të rrezikshëm në Shkodër “Bajri”. Ai është arrestuar në Spanjë rreth dy vite më parë.

Kapja e tij asokohe u bë pas bashkëpunimit të Policisë spanjolle dhe Policisë italiane. Bajrit në momentin e ndalimit iu gjet një armë pistoletë, që e mbante pa leje dhe rreth 9 mijë euro.

Dy javë para arrestimit të Bajrit, Policia e Shtetit organizoi një operacion në lagjet Kiras e Dobraç të Shkodrës si dhe në Tiranë , duke vënë në pranga disa pjestarë të grupit kriminal, ndërsa shpalli në kërkim disa të tjerë.

Bajri dyshohet se është drejtuesi këtij grupi kriminal, që ishte aktiv kryesisht në zonën e Shkodrës.

Ai ka qenë i dënuar edhe në Itali me 6.6 vite burg për veprat penale të “Organizim i emigracionit të paligjshëm”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Falsifikim”.