Operacioni policor antidrogë i koduar “Restart”, në Kapshticë ka çuar në 5 numrin e të ndaluarve dhe 187.4 kg lëndë narkotike të sekuestruar.
Mbrëmjen e së shtunës u godit një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek, ku u bë arrestimi në flagrancë i Gjergji Mollanjit, 47 vjeç, banues në Korçë.
Shtetasi qarkullonte me automjetin tip “Mazda” dhe sipas informacioneve, gjatë kontrollit të mjetit të tij janë gjetur e sekuestruar 61 pako me peshë 73.4 kg, lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Operacioni ka startuar një muaj më parë për goditjen e një grupi kriminal, ku u vunë në pranga 4 shtetas, njëri prej tyre avokati Joni Mosku, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 114 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.