Osmani për ish-krerët e UÇK-së: Do ta respektojmë vendimin përfundimtar të Speciales

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka disa ditë që po qëndron për vizitë në Itali, ku në një intervistë për mediumin “Corriere della Sera” është pyetur edhe për ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë.

Osmani tha se pret të ketë drejtësi dhe se agresori ishte Serbia, ndërsa UÇK-ja bëri luftë çlirimtare për të mbrojtur vendin e saj.

Por, presidentja Osmani tha se do të respektojnë vendimin përfundimin e Gjykatës Speciale.

“Drejtësi dhe respektim të standardeve ndërkombëtare: agresori ishte Serbia, ne u sulmuam. Dhe UÇK-ja bëri luftë çlirimtare për të na mbrojtur. Por ne nuk do të ndërhyjmë në asnjë mënyrë në punën e Gjykatës dhe do ta respektojmë vendimin përfundimtar”, tha ajo.

E nëse drejtësia nuk vendohet në Ukrainë e Ballkan, presidentja e vendit u shpreh se ekziston rreziku që krimet e luftës të përsëriten.

“Edhe nëse shumë viktimat nuk e kanë marrë ende drejtësinë, edhe nëse shumë kriminelë kanë mbetur të lirë, Tribunali për ish-Jugosllavinë është bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale, jo të fajit kolektiv. Nëse drejtësia nuk vendoset në Ukrainë apo në Ballkan, gjithmonë ekziston rreziku që këto krime të përsëriten”, tha ajo.