“Shpalli fitore të thellë me mbi 40 mijë vota dallim”, ka thënë Bujar Osmani.
Këto komente, kandidati i Frontit Evropian për President të Maqedonisë së Veriut i ka bërë në një konferencë për media nga selia e Bashkimit Demokratik për Integrim në Reçicë të Vogël, pasi që janë numëruar më shumë se 60 për qind e votave.
“Kemi shënuar fitore pothuajse në çdo komunë të vendit duke nisur: fitore në Jogonocë, fitore të thellë Haraçinë, fitore të thellë në Vrapçishtë, fitore në Studineçan, në Likovë, në Bogovinë, në Zhelinë, në Gazibabë… fitore të jashtëzakonshme në Strugë, në Çashkë… në Ohër, fitore në Tetovë, fitore në Saraj, fitore në Manastir, në Velesh, fitore e thellë në Kërçovë… fitore në Gostivar, fitore në Kumanovë, në Çair, në Budel, në Dibër…”, ka thënë Osmani.
“Kjo fitore e jona është fitore e jona e përbashkët. Kjo fitore tregon se Fronti Evropian po ngritet në një lokomotivë për të ardhmen e vendit tonë”, shtoi Osmani.
Ai ka uruar të gjithë qytetarët për këtë fitore, siç tha, “të madhe”, derisa ka falënderuar të gjithë ata që e kanë votuar.
“Kjo fitore e jona është fitore e jona e përbashkët. Kjo fitore tregon se Fronti Evropian po ngritet në një lokomotivë për të ardhmen e vendit tonë”, shtoi Osmani.
Në emër të “Frontit Evropian”, Osmani i dha fjalën qytetarëve se “vota e juaj sot është detyrim i ynë, është amaneti ynë, është besa jonë, ajo është shënuar dhe iu premtoj që do të jetë pjesë e të ardhmes së ndritur të vendit tonë”.
“Sot shqiptarët, turqit, romët treguan se ata vetëvendosin për fatin e tyre. Ne iu japim fjalën se askush, kurrën e kurrës nuk mund të vendos në emrin e tyre. Vullneti është i qartë dhe duhet të respektohet nga të gjithë”, shtoi.
Osmani po ashtu ka pasur një mesazh edhe për kundërkandidtin shqiptar nga radhët e koalicionit “VLEN”, Arben Taravari, duke e ftuar që ta pranojë humbjen.
“Patëm një fushatë të ndershme dhe fer, që me dinjitet të pranohet humbja dhe po ashtu edhe fitorja. Vullneti i popullit është ai që përcakton karrierat tona. Duhet ta pranojmë këtë vullnet, por edhe mesazhet që i dërguan”, potencoi.
Ndryshe, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut, ka përditësuar të dhënat për zgjedhjet presidenciale, në të cilat kandidati shqiptar i “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, është duke prirë bindshëm ndaj kandidatit tjetër shqiptar nga radhët e koalicionit “VLEN”, Arben Taravari, me më shumë se 20 mijë vota.
Me 59,59 për qind të votave të numëruara, Osmani renditet i treti më i votuar me plotë 81 mijë e 748 vota, apo 15.63 për qind.
Nga ana tjetër, Taravari, që renditet i katërti, ka grumbulluar 11.39 për qind, apo 59 mijë e 591 vota.
Ndërsa, e para në garën zgjedhore është kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, me 37.80 për qind, apo 197 mijë e 741 vota.
Ajo pasohet nga presidenti aktual, Stevo Pendarovski, me 18.66 për qind, apo 97 mijë e 592 vota.