Pamje të arrestimit të të dyshuarve për plagosjen dhe tentim-grabitjen në Prizren

Arrestime e bastisje kanë ndodhur tre ditë pas ngjarjes së rëndë e cila ndodhi në Prizren më 15 nëntor.

Hetimet intensive të Prokurorisë dhe Policisë arritën të identifikonin disa persona të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në grabitjen dhe plagosjen e dy personave në Prizren.

KALLXO.com po transmeton pamje ekskluzive të arrestimit të të dyshuarve ndërsa kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, tregoi se si u zbulua grupi.

“Policia së bashku dhe unë kam dalë në vendin e ngjarjes dhe janë siguruar të gjitha provat nga vendi i ngjarjes për të identifikuar të dyshuarit. Së bashku me Policinë dhe prokurorin e rastit kemi punuar maksimalisht për të identifikuar të dyshuarit. Në bazë të identifikimit të veturës kemi siguru prova të mjaftueshme se kush e ka përdorur, nga kush është blerë dhe kemi arritur që të identifikojmë të dyshuarit që dyshojmë se kanë kryer veprën penale”, tregon kryeprokurori Shala.

Njëri nga të dyshuarit për rastin e Prizrenit, dy ditë më parë kishte blerë një veturë të cilën më pas ia kishte dhënë të dyshuarve tashmë të arrestuar Leutrim Latifi dhe Ibrahim Qadraku.

R.F., sipas Prokurorisë dyshohet se ka qenë në dijeni se Latifi e Qadraku do të kryenin veprën penale të grabitjes mbrëmjen e 15 nëntorit në mënyrë të armatosur e të maskuar.Të mërkurën e javës që kaloi, hetuesit policorë së bashku me pjesëtarë të Njësive Speciale kishin marrë urdhër për bastisje dhe arrestim të personave të dyshuar.

Në pamjet e transmetuara  shihen se si zyrtarët policorë në orët e hershme të mëngjesit nisën drejt lokacioneve të caktuara për të zhvilluar aksionet.